Një ndërtues, roja i një pallati dhe një kalimtar u plagosën sot me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi në vijim të një serie konfliktesh që në thelb kanë pronësinë mbi disa ndërtime në Tiranë. Ndërtuesi i plagosur është Sino Llanaj, i cili sot kishte shkuar pranë objektit në ndërtim, për të cilin ka punuar me ortakun e tij.
Por pas mosmarrëveshjeve mes tyre për pjesën e pronësisë dhe shitjen e banesave, kanë nisur një seri të gjatë gjyqesh. Pak ditë më parë Llanaj ishte pranë objektit dhe pas një konflikti verbal është dhunuar nga një grup personash.
Më pas ai në një tjetër konflikt është shoqëruar nga policia siç duket edhe nga këto pamje filmike të marra nga dëshmitarët. Për shkak të konfliktit ai ishte shoqëruar nga policia.
Ortaku i tij pas ngjarjes është paraqitur në komisariatin dy në Tiranë për të dhënë dëshmi dhe me alibinë se nuk ka qenë i pranishëm kur ka ndodhur përplasja.
Ndërkohë që banorë të zonës konfirmojnë se mes ndërtuesve ka patur një konflikt që burimin e kishte mbi pronësinë e ndërtimeve. Kjo konfirmohet edhe nga një prej pronareve të tokës.
Jemine Durshiti është një prej pronareve të tokës ku është ndërtuar kompleksi e cila pretendon se ka ende para pa marrë nga ndërtuesi.
“ Më ka për të dhënë 4800 euro. Thotë do t’i jap por prit se jam ende në gjyqe”, thotë pretendentja e tokës së pallatit.
Policia ka marrë në pyetje ndërtuesin Albert Allmuçajn, për të mësuar se kush janë personat e përfshirë në konfliktin ku janë përdorur edhe armët e zjarrit.
Top Channel