Osmani pritet nga Sassoli: Drejtësia është parakusht për paqe e pajtim

12/01/2021 16:08

Në vazhdën e takimeve gjatë vizitës në Bruksel, presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli.

Në këtë takim, Osmani ka falënderuar Sassolin për rolin proaktiv të Parlamentit Evropian në mbështetjen e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Gjithashtu e ka falënderuar Presidentin Sassoli për rolin e tij në përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në të gjitha përpjekjet e BE-së për përballimin e pandemisë̈.

Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca thuhet se, Osmani theksoi faktin se Parlamenti Evropian ishte dhe vazhdon të jetë institucioni më i zëshëm në BE në lidhje me Republikën e Kosovës, duke kërkuar jo vetëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe duke e ndihmuar shtetin e Kosovës nëpërmjet iniciativave të ndryshme. Ajo e ka potencuar në veçanti, nevojën që Parlamenti Evropian të jetë i zëshëm në kërkesën ndaj pesë shteteve jo njohësë të BE-së, në mënyrë që ato ta njohin Republikën e Kosovës.

Më tej, zonja Osmani konfirmoi synimin e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj për kultivimin dhe ruajtjen e vlerave evropiane.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, bashkë me ato të BE-së, duhet të punojnë më shumë që sa më shpejt që është e mundur t’ia ofrojnë perspektivën evropiane popullit të Kosovës, i cili vazhdon të jetë populli më pro-evropian në kontinent, por i izoluar shkaku i mosliberalizimit të vizave. Kosova i ka plotësuar kriteret, ndaj BE-ja duhet ta mbajë premtimin ndaj Kosovës duke i liberalizuar vizat”, citohet të ketë thënë Osmani.

“Rajoni ynë do të ecë përpara kur të ketë drejtësi sepse drejtësia është parakusht për paqe e pajtim”, ka thënë Osmani.

Ajo po ashtu potencoi se duhet të rritet roli i Kuvendit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, sikurse edhe të arrihet unifikim i spektrit politik kosovar lidhur me dialogun.

Top Channel