Një diplomat në krye të CIA/ Presidenti i zgjedhur Biden cakton William Burns

12/01/2021 02:52

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi se kreu i ri I CIA-s do të jetë diplomati veteran, William Burns.

64 vjeçari, ish-ambasador në Rusi dhe Jordani, ka një karrierë 33-vjeçare në Departamentin amerikan të Shtetit, edhe nën udhëheqjen e presidentëve republikanë, edhe atyre demokratë.

“Bill Burns është një diplomat shembullor me disa dekada përvojë në skenën botërore. Ai ndan bindjen time të thellë se inteligjenca duhet të jetë jopolitike dhe se profesionistët e përkushtuar të inteligjencës që i shërbejnë kombit tonë, meritojnë mirënjohje dhe respekt”, tha Biden. Raportet në media tregojnë se Burns kishte qenë në fakt kandidat për sekretar shteti, por Biden ka zgjedhur Anthony Blinken në atë post. Nëse konfirmohet nga Senati, Burns do të pasojë Gina Haspelin në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës – CIA.

Në vitin 2012, Burns, asokohe zëvendëssekretar i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka vizituar Kosovën. Në takim me udhëheqësit e atëhershëm kosovarë, Burns qe zotuar se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen “për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e tij, si dhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”.

Burns po ashtu ka mbështetur idenë se dialogu është “i vetmi instrument për zgjidhjen e problemeve” midis Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA