Covidi shkakton probleme edhe në fillimin e sezonit të ri të Botërorit të Formula 1. Kampionati i këtij viti do të nisë në 28 mars me Çmimin e Madh të Bahreinit pasi gara që hap tradicionalisht këtë kampionat, Çmimi i madh i Australisë është shtyrë për shkak të masave të ashpra anticovid të marra dhe do të zhvillohet në 19-21 nëntor.
Po kështu është shtyrë edhe çmimi i Madh i Kinës, edhe ky për të njëjtën arsye me vendin aziatik që ashtu sikurse edhe Australia kanë rregulla të forta për të gjithë ata që hyjnë nga jashtë në këto vende. për garën e Kinës që ishte parashikuar të mbahej në 9-11 prill ende nuk ka një datë se kur do të zhvillohet, pasi bisedimet janë në zhvillim e sipër.
Ndërkaq, në kalendarin e kampionatit të këtij viti në Botërorin e Formula 1 është përfshirë Çmimi i madh i Imolas që do të zhvillohet në fundjavën 16-18 prill dhe do të jetë gara e dytë sezonale. po kështu pritet të konfirmohet edhe gara e tretë e programuar për t’u zhvilluar në 2 maj, Çmimi i Madh i Portugalisë në Portimao. Po kështu në kalendarin e këtij viti është përfshirë gara në Arabinë Saudite, që është një vend që debuton në këtë kampionat që vetëm sa i është shtyrë data e zhvillimit të saj ashtu sikurse edhe garës në Brazil dhe në Abu Dhabi, kjo për t’i krijuar hapësirë Çmimit të Madh të Australisë.
Vlen të kujtohet se në botërorin e Formula 1 në 2020 u zhvilluan 17 nga 22 garat e parashikuara në kalendar, ndërsa kampionati i këtij viti vendos një rekord pasi në kalendar janë 23 gara për t’u zhvilluar.
Top Channel