Në Kosovë nis fushata/ Në tubime nuk po respektohen masat anti Covid

11/01/2021 19:48

Partitë politike kanë nisur tubimet elektorale për fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, por asnjëra prej tyre nuk po respekton masat anti Covid. 

Të gjitha partitë kanë bërë grumbullim të qytetarëve duke shkel kështu vendimin e Qeverisë i cili ndalon grumbullimin e më tepër se katër personave qoftë në ambiente të mbyllura por edhe të hapura.

Po ashtu është parë mungesa e distancës prej dy metrash e në disa raste edhe maska.

Por, kur është puna tek kërkimi i votës, nuk vlejnë vendimet që janë në të mirë të shëndetit të popullatës.

Ndër zyrtarët që ka bërë shkelje është edhe Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti.

Por, kjo po kritikohet nga shoqëria civile.

Madje, thirrje për respektim të masave dhe ndërhyrje të policisë ka bërë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave”. 

Top Channel ka kërkuar të dhëna nga Policia e Kosovës nëse ka pasur ndërhyrje për parandalimin e këtyre tubimeve dhe shqiptimin e gjobave ndaj partive politike, por të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.

Ndërkohë, ekspertët shëndetësor kanë paralajmëruar rritje të rasteve pas nisjes së tubimeve nga partitë, para afatit të vendosur nga KQZ-ja.

Top Channel