Testi i koronavirusit nuk do të jetë më i detyrueshëm për të hyrë në Mal të Zi.
Ministrja vendase e Shëndetësisë, Jellena Borovinic Bojovic tha se testi nuk do të jetë i nevojshëm as për shtetasit malazezë, as për të huajt. Bojovic u shpreh se do të hiqet edhe ndalesa për trafikun mes qyteteve të Malit të Zi, gjatë fundjavave. Sipas saj, lehtësimi i masave është pasojë e përmirësimit të situatës epidemiologjike.
Ministrja u shpreh se shkalla e përdorimit të kapaciteteve spitalore aktualisht është rreth 57 për qind, krahasuar me gjysmën e dytë të dhjetorit, kur ka qenë 67 përqind. Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 388 infektime të reja të sëmundjes dhe katër viktima.
Numri i përgjithshëm i rasteve aktive në këtë vend me mbi 620,000 banorë, aktualisht është 9,595. Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit pranverën e vitit të kaluar, Mali i Zi ka shënuar gjithsej 729 jetë të humbura.
Top Channel