Kosova përballet me përmbytje/ Hoti, do të ndihmojmë familjet e dëmtuara

11/01/2021 18:01

Në kohën kur pjesë të ndryshme të Kosovës përballen me përmbytje pas reshjeve të dendura të këtyre ditëve, kryeministri Avdullah Hoti zbriti në Drenas, ku rreth 50 vetë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Hoti u shpreh se të gjitha kapacitetet funksionale janë vënë në menaxhim të situatës, ndërsa sqaroi se prioritet është jeta e qytetarëve. Paskësaj, u shpreh ai, do të kujdesimi për të ndihmuar financiarisht familjet e prekura.

Reshjet e mëdha të ditëve të fundit kanë shkaktuar shumë probleme në vend. Në mjaft zona shtëpi, rrugë, ndërtesa e dyqane janë bllokuar, ndërsa ka dhe vështirësi qarkullimi. Shirat kanë shkaktuar edhe dëmtimin e asfaltit të rrugëve në disa prej komunave të vendit. Disa lumenj kanë dalë nga shtrati dhe uji ka mbuluar gjithë hapësirat përreth.

Ndër komunat ku raportohen dëme më të mëdha Prishtina, Fushë Kosova, Podujeva, Klina, Ferizaj e Drenasi. Një ditë më parë, Instituti Hidrometorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sasitë e reshjeve janë më intensive në rajonin e Dukagjinit.

Top Channel