Të infektohesh nga Covid 19 nuk prek vetëm frikën nga vdekja, por të rrënon edhe ekonomikisht. Një personi për të kuruar covidin në shtëpi i kushton minimalisht 2 mijë euro dhe për një familje më të ardhura të mesme e minimale është një rrënim total, pasi trajtimi për kurimin e koronavirusit kërkon shpenzime të mëdha dhe jo vetëm për medikamente. Të gjitha në fund kanë një faturë mjaft të “kripur”, madje të papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare.
Emisioni Fiks Fare intervistoi një qytetare e cila me bashkëshortin e saj e kanë kaluar covidin në shtëpi, por në gjëndje të rëndë. Margarita Kola tregon se kura për të dy pavarësisht se ilaçet kryesore jua sollën disa miq nga Gjermania, arriti në shifrat e 3 milion e 200 mijë lekëve të vjetra. Pjesë e këtij kurimi sipas saj ishte dhe pagesa prej 80 mijë lekësh që duhet t’i paguanin infermieres që t’ju bënte injeksionet dy herë në ditë. Znj Kola tregon se për 5 javë u kurua në shtëpi dhe nga shteti nuk ka marrë ndonjë rinbursim apo ndihmë ” madje unë nuk di as si të aplikoj” shton ajo. Mes të tjerash zonja tregon se antibiotikët, vitaminat,antikoagilante si xarelto kushtonin shumë shtrenjtë. Analizat që përsëriteshin çdo tri ditë dhe skanerin ka qenë e detyruar ta bënte në spital privat, sepse duhet të priste shumë ditë për planifikim në shtet, kurse analizat shteti nuk i bënte.
“Rasti ynë ka qenë pak i veçantë, por besoj se nuk jemi të vetmit. Unë ndjehesha e lodhur dhe komunikova me mjekune familjes. Më udhëzoi të bëja analiza, por meqë isha mosbesuese bëra dhe një tampon në privat. Përgjigja më doli negative dhe u nisa për pushime , pasi unë covidin e kam kaluar në fund të gushtit. Pas tri ditësh gjendja ime u përkeqësua dhe menjëherë fillova kurën e covidit sugjeruar nga mjeku i familjes duke përdorur protokollin italian të mjekimit'” shprehet Margarita. Asaj dhe të shoqit i janë dashur 5 javë kurim për t’ia dalë kundër koronavirusit. Pas dy javësh trajtim ende nuk po shihte përmirësim ndaj edhe me konsultimin e një mjeku gjerman ndryshuan kurën. Kësaj radhe provuan protokollin që përdoret në Gjermani. ” Edhe pse të gjitha ilaçet më erdhën nga Gjermania dhe i paguan miqtë tanë në atje, sërish kostoja ishte e madhe. Mezi ia kemi dalë” shton znj. Kola.
Top Channel