Me ndërrimin e viteve në tregun e gazit në Europën Juglindore pati tre zhvillime me rëndësi që do të kenë vazhdë të gjatë pasojash: Më 1 janar presidenti serb, Aleksandar Vuçic dha me një ceremoni sinjalin e startimit: Vendi i tij do të furnizohet tanimë me gaz rus përmes një itinerari të ri – nga Bullgaria përmes një gazsjellësi në Ballkan, Balkan Stream, një degëzim i gazsjellësit Turkish Stream.
Vetëm pak orë më parë, ende në vitin e vjetër, filluan furnizimet nga Axerbajxhani drejt Bullgarisë përmes gazsjellësit të sapopërfunduar, Trans Adriatik, i njohur si gazsjellësi TAP, thotë DË. Kryeministri bullgar, Bojko Borisov theksoi po ashtu ditën e Vitit të Ri, gjatë një vizite në një stacion kompresori në kufirin grek: „Nga sot kemi diversifikim të plotë.” Thënë ndryshe, ai me këtë bëri të ditur fundin e monopolit të koncernit Gazprom në tregun bullgar, shkruan Dojce Vele. Zhvillimi i tretë në Vitin e Ri ishte vënia në punë komercialisht e terminalit të ri mobil për gazin e lëngshëm, LNG para ishullit kroat, Krk.
Një anije cisternë solli gazin amerikan, LNG, i cili u modifikua dhe u fut në rrjetin e tubacioneve të vendit, që po ashtu është i lidhur me rrjetin europian. Me këtë Kroacia po ashtu degëzon furnizimin, që deri më tani vinte vetëm nga Gazprom. Kroacia tani mund të veprojë edhe si eksportuese e gazit psh. në Hungari apo Ukrainë.Blerësit më të mëdhenj të gazit rus në Ballkan në vitin 2019, sipas Gazprom, ishin Kroacia, (2,82 miliardë metër kubikë), Greqia (2,41 miliardë) dhe Bullgaria (2,39 miliardë). Serbia me 2,12 miliardë metër kubikë gaz renditet në vendin e katërt. Gazpromi sakaq nuk e ka zgjidhur ende detyrën strategjike të vënë nga Kievi për t’i dhënë fund përfundimisht kalimit tranzit të gazit përmes Ukrainës.
Top Channel