10 foshnje kanë vdekur në një repart materniteti në shtetin indian Maharashtra, të shtunën në mëngjes kur zjarri përfshiu spitalin.
Stafi mundi të shpëtonte shtatë nga bebet e sapolindura por nuk mundën të shpëtonin në kohë 10 të tjerët. Të gjitha foshnjet ishin të moshës nga pak ditë deri në tre muajsh.
“Shkaku i zjarrit nuk është ende i ditur por stafi mundi të shuante flakët sa shpejt që mundej. Sidoqoftë, tymi bëri që bebet të mbyteshin”, thanë zyrtarët.
Infermieret në detyrë panë zjarrin që vinte nga një njësi e të sapolindurve në spital dhe ndezën alarmin. Zjarrfikësit ndaluan flakët duke i penguar ato që të përhapeshin në pjesë të tjera të spitalit dhe pacientët e tjerë u dërguan në një vend të sigurt. Edhe kryeministri indian Narendra Modi reagoi pas ngjarjes duke e quajtur atë që kish ndodhur një tragjedi që i ka thyer zemrën cdo indiani.
Autoritetet urdhëruan nisjen e një hetimi për katastrofën më të fundit që ngre dyshime për sigurinë e spitaleve indiane. Më shumë se 90 persona humbën jetën si pasojë e flakëve në një spital në Kalkuta në 2011. Ndërsa në gusht, një zjarr në një tjetër spital i mori jetën tetë pacientëve me koronavirus. Pesë pacientë të tjerë me covid 19 humbën jetën pas flakëve në një klinikë në Rajkot në nëntor. Gjykata supreme ka kërkuar një raport për sigurinë në spitalet covid për shkak të incidenteve të shumta.
Top Channel