“Të bashkoj Amerikën”, objektivi kryesor për presidentin e zgjedhur

09/01/2021 12:40

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, thotë se objektivi i tij kryesor është të bashkojë vendin pasi mbështetësit e Donald Trump sulmuan ndërtesën e kongresit në një protestë që rezultoi vdekjeprurëse.

E kam thënë që në fillim dhe nuk kam ndryshuar mendim: objektivi im afatgjatë është të bashkoj vendin. Ne duhet ta bashkojmë vendin”.

Duke folur në Uillmington, në Delaware, Biden i quajti ata që sulmuan kongresin, terroristë të brendshëm dhe tha se ata duhej të përndiqeshin ligjërisht.

Gjithçka që ndodhi duhet hetuar. Autoritetet përgjegjëse duhet të mbajnë përgjegjësi për dështimet e para dhe ne duhet të garantojmë që kjo të mos përsëritet kurrë më”.

Biden prezantoi po ashtu edhe pjesëtarët e fundit të ekipit të tij ekonomik dhe premtoi se do të ofronte më shumë ndihmë për familjet në vështirësi dhe bizneset e vogla. Javën e ardhshme, tha ai, do të prezantojë një program shpëtimi për ekonominë e rënduar nga pandemia. Paketa përfshin edhe çeqe stimuluese për taksapaguesit dhe një rritje të pagës minimale që konsiderohet nga Biden prioritet kryesor, bashkë me përshpejtimin e procesit të vaksinimit.

Ai nominoi guvernatoren e Rhode Island, Gina Raimondo si sekretare tregtie, kryebashkiakun e Bostonit Martin Walsh si sekretar për punësimin, dhe Isabel Guzman, një ish zyrtare në administratën Obama, si shefe të administratës së bizneseve të vogla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA