Sulmi mbi Kongresin amerikan, Melania dhe fëmijët e Trump heshtin

09/01/2021 14:11

Ndërsa mijëra mbështetës pro Trumpit u vërsulën drejt Uashingtonit të mërkurën, duke derdhur gjithë zemërimin e tyre mbi ndërtesën e kongresit amerikan, qendrën e demokracisë amerikane, zonja e parë Melania Trump, sic shkruan BBC, ishte duke bërë një seancë fotografike në shtëpinë e bardhë.

Drita profesionale, nga ato që përdoren nga fotografët, mund të shiheshin përmes dritareve të shtëpisë së bardhë. Sipas një burimi të CNN, po i bëheshin foto tapeteve dhe orendive të tjera, që vetë zonja Trump kishte zgjedhur për ridekorimin e shtëpisë së bardhë. Disa blloqe më tej ndërkohë, mbështetësit e flaktë të Trump sulmonin kongresin. Mediat ndërkohë kërkonin një koment të saj mbi atë që po ndodhte, diçka që ajo e ka bërë ndonjë herë, muaj më parë, gjatë protestave të lëvizjes Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi. Por ajo nuk reagoi. Zonja e parë heshti dhe një burim nga shtëpia e bardhë thotë se ajo e ka bërë këtë thjeshtë pasi nuk do të përfshihet në këtë mes.

Ka patur shumë diskutime mbi ndikimin e zonjës së parë mbi të shoqit. Por, ka qenë Ivanka, vajza e presidentit, ajo që ka mbajtur një mbledhje emergjence me të në zyrën ovale të mërkurën, ku i ka kërkuar të dalë dhe të bëjë apel për ndalimin e dhunës. Sidoqoftë, zonja e parë dhe presidenti, sic raporton CNN, kanë një marrëdhënie të ngushtë, që mund të habisë ata që e kanë interpretuar historitë ku Trump akuzohet për tradhëti apo distancën e tyre fizike, si një shenjë mos pëlqimi. Zonja e parë flet në telefon gjatë ditës me të shoqin, sipas burimeve, dhe ajo është e para që ndan me të shoqin mendimet për çështje të ndryshme. Por, këtë radhë ka heshtur. Dhe të njëjtën gjë kanë bërë edhe tre personat e tjerë me më shumë ndikim në orbitën e Trump, djali i madh Donald Junior, Ivanka dhe Erik Trump.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA