Rama në Çerven: Zonë kritike ku Vjosa bënte namin, një provë e punës së bërë me vite

09/01/2021 17:58

Kryeministri Edi Rama, i cili po ndjek hap pas hapi situatën e krijuar nga reshjet, ishte sot, pikërisht në zonën ku disa vite më parë, banorët u evakuuan me varka shpëtimi nga banesat e tyre të përmbytura krejtësisht.

Kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi shpjegoi se ngritja e nivelit të argjinaturave, si dhe sistemimi i kanaleve me skarpate betoni ka bërë që situata të paraqitet normale, pa shkaktuar dëme.

“Kjo është një nga veprat që ne kemi bërë para dy vitesh e gjysëm, në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, të Bashkisë dhe të Bordit të Kullimit. Pjesa e parë ka qënë ngritja e kësaj argjinature në një metër dhe vende-vende 1 metër e gjysëm lartësi nga niveli ku ishte. Një nga shkaqet kryesore të përmbytjeve, nga Ferrasi deri në Darëzezë, ku uji rrinte mbi 15 ditë ka qenë kjo pjesa këtu, sepse Vjosa e kapërdinte këtë argjinaturë, futej deri tek dega e Martinës. Kjo është degë e kanalit Vjosë-Levan-Fier dhe nëpërmjet kësaj uji shkonte deri në Darëzezë e përmbyste gjithë tokat. Me gjithë këto punimet që u bënë këtu, dje faktikisht, edhe pse Vjosa ka dalë në këtë pjesë, se këtë e ka pjesën e vet sa herë që fryhet, nuk arriti të kapërdinte për shkak të ngritjes së kuotës së kësaj argjinature. Përveç punimeve që kemi bërë këtu, janë pastruar të gjithë kanalet e para, të dyta të treta dhe kolektorët kryesorë,” – u shpreh kryebashkiaku Subashi, duke shtuar se prej tre vitesh situata në këtë zonë paraqitet e stabilizuar.
Kryeministri Rama rikujtoi vizitën e tij në këtë zonë, përpara disa vitesh, kur dalja e lumit Vjosa nga shtrati shkaktonte përmbytje masive banesash, mbytje bagëtish dhe kërcënim serioz për jetën e njerëzve.

“Sot, në të njëjtat kushte, me të njëjtin intensitet reshjesh, ne nuk kemi asnjë banesë të prekur. Me këtë situatë, dikur mbyteshin të gjitha shtëpitë në Darëzezë. Mbaj mend në këtë zonë, gjithçka ishte nën ujë. Në ato shtëpitë atje, banorët ngjiteshin në kat të dytë, se ishte kudo përmbytje. Në 25 vjet në këtë zonë nuk u bë asgjë nga shteti dhe çfarë ju prodhonit ditën, vinte natën Vjosa dhe ju thoshte hajde dhe njëherë nga e para. Ka akoma pjesë për të pëmbyllur, patjetër, por pikat kritike janë kapur dhe sot, ne problemin e kemi në Obot lart, ku është shumë nën nivelin e mundshëm për ta përballur çdo fryrje të liqenit. Në pjesët e tjera, problemet e djeshme në zonën Shkodër-Lezhë, duket që sot ka funksionuar gjithë sistemi i kanalizimeve, sepse uji është terhequr. Ajo që ka rëndësi është që në anën e Vjosës që është një lumë i egër, që ne e konsiderojmë një pasuri natyrore dhe që kemi ndaluar gjithë zhvillimet me hidrocentrale, etj, sfida është se lumi i egër të del dhe të bën hatanë. Falë Zotit deri tani jemi në rregull. Në rast se bëhet ndonjë apokalips, edhe ndodh, se ju ndodh mes Parisit, në mes Gjermanisë, në mes të Hungarisë, në mes të Londrës, por kjo ishte një provë e madhe,” – u shpreh kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA