Tek Dinamo veç Francesko Morieros është bashkuar edhe ish-kapiteni i Palermos, Frabricio Mikoli, një emër mjaft i njohur i futbollit italian i cili zyrtarisht është prezantuar si zëvendës trajner i bluve të kryeqytetit.
Fabricio Mikoli: Jam këtu përveçse si ndihmësi i Morieros edhe si përgjegjës për sektorin e të rinjve. Kam folur me presidentin dhe kemi një projekt shumë interesant për fëmijët, sigurisht ata që janë, pranë akademisë sonë. Pra me pak fjalë do të përpiqemi të bëjmë gjëra të mira këtu.
Megjithatë ajo që bie në sy tek Mikoli, sot 41 vjec, është një tatuazh i shtuar së fundmi. Bëhet fjalë për imazhin e Diego Armando Maradonës. Në këtë intervistë për Top Channel ai sqaron më shumë.
Fabricio Mikoli: Maradona është idhulli im që kur isha fëmi. Përvec tatuazhit që kam bërë, unë kam blerë edhe një vath të tijin. Ishte koha kur ai erdhi në Itali përpara disa vitesh dhe kishte probleme me taksat. Në atë kohë i sekuestruan edhe një vath që unë më pas e bleva në ankand. I kam vënë tim biri emrin Diego në nder të tij, pra mund të them se kam një ndjesi të veçantë karshi tij. Jam gjithashtu shumë mik me Diego Armando Xhunior, pra djelin e Maradonë. Për mua Maradona përfaqëson futbollin, gjithçka kam bërë i kam bërë në respekt të tij.
Për njerëzit që e kanë patur idhull Maradonën, fat konsiderohet edhe fakti që të kenë mundur ta shohin duke luajtur.
Fabricio Mikoli: Unë e kam parë të luaj Maradonën kur isha fëmijë. Napoli vinte të luante kundër Leces, pasi unë e kam thënë gjithmonë që jam një tifoz i përjetshëm i Leces, ishte kjo skuadër që më dha mundësinë ta shihja Maradonën të luante futboll. Sigurisht kam parë edhe gjithçka është regjistruar nga ndeshjet e tij. Diego do të jetë gjithmonë Diego.
Top Channel