Milani rikthehet përsëri te opsioni Andrea Belotti. Disa vjet më parë kur drejtuesit kuqezinj u interesuan për sulmuesin e Torinos, në lojë u futën edhe dy gjigantët e Premier League-s si Chelsea e Manchester United dhe presidenti i klubit “granata” Urbano Cairo asokohe caktoi si çmim transferimi për lojtarin e përfaqësueses italiane të futbollit, shifrën e plot 100 milionë eurove.
Natyrisht për një shumë të tillë nuk u afrua askush për të trokitur në dyert e presidentit të Torinos dhe për pasojë Andrea Belotti u shtrëngua për të qëndruar kundër dëshirës së tij në Piemonte. Tani gjërat kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore dhe presidenti Urbano Cairo i penduar pritet të lëshojë diçka, duke pasur parasysh që verën e ardhshme Belotti do të bëhet gati për të hyrë në sezonin e tij të fundit me fanellën e Toros. 27-vjeçari nga Provinca e Bergamos ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e drejtuesve të Milanit, për më tepër në këtë edicion Andrea Belotti duket se është rikthyer sërish në ditët e tij më të mira, teksa ka realizuar 9 gola në 15 ndeshje për Torinon në Serinë A.
Vetëm 2 prej tyre janë shënuar nga pika e bardhë e 11-metrave, ndërsa 5 kanë shërbyer për të zhbllokuar ndeshjet e skuadrës granata, ndërkohë Belotti krenohet gjithashtu edhe me 4 asist. Përpara sulmuesit të Torinos me vetëm 1 gol më shumë, renditet në vendin e pestë në listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit italian Zlatan Ibrahimoviç dhe drejtuesit e klubit kuqezi po mendojnë që tani për të gjetur pasardhësin e veteranit me origjinë boshnjake, natyrisht në rast se 39-vjeçari suedez nuk gjen gjuhën e përbashkët me krerët e klubit të famshëm milanez.
Drejtuesit nuk duan që të kapen të papërgatitur, nëse palët nuk bien dakord për të vijuar bashkëpunimin dhe Paolo Maldini është duke menduar gjithmonë e më shumë pikërisht për Andrea Belotti-n, si zgjedhjen e duhur për sulmin në rast të një largimi të mundshëm të gjigantit skandinav. Synohet një zgjidhje përfundimtare që në muajin qershor, pasi tani për tani krerët e klubit janë duke kërkuar një mbrojtës, për të përforcuar repartin e prapavijës së trajnerit Stefano Pioli. Rinovimi i kontratës me Ibrën nuk është aspak i sigurt, kështu që dyshja Maldini dhe Massara po i përqendrojnë energjitë e tyre te sulmuesi i Toros.
Sipas Tuttosport veterani Zlatan Ibrahimoviç mund edhe të mos rinovojë kontratën me klubin kuqezi, për shkaqe fizike apo qoftë edhe familjare, kështu që profili i kapitenit të Torinos përshtatet më së miri me karakteristikat e lojës së Piolit apo edhe nevojat e ekipit të mirënjohur lombard në fazën sulmuese. Sigurisht që asgjë nuk pritet të jetë e lehtë, duke njohur natyrën këmbëngulëse të presidentit Urbano Cairo, por është e kuptueshme që Andrea Belotti nuk ka ndër mend të qëndrojë deri në fund për të respektuar kontratën, që e mban të lidhur atë deri në verën e vitit 2022 me klubin granata.
“Il Gallo” po bën rezistencë ndaj çdo përpjekje të presidentit për të rinovuar kontratën. Tre vjet më parë Belotti i kërkoi me ngulm Urbano Cairo-s largimin, por presidenti i klubit granata e ngriti stekën vërtet shumë lart, ndërsa tani 27-vjeçari bergamask duket se e ka ndarë mendjen përfundimisht për të bërë edhe hopin cilësor në një klub të madh, gjë që i shkon për shtat dëshirave të vetë Milanit dhe drejtuesve të klubit kuqezi, që me një transferim të tillë do të kënaqnin të gjitha palët, e mbi të gjitha do të garantonin edhe rinovimin e brezave përpara, me një sulmues 12 vjet më të ri sesa veterani Zlatan Ibrahimoviç.
Top Channel