Greqi, izolimi shtyhet edhe 1 javë/ Të hënën fillon vaksinimi për personat mbi 85 vjeç

09/01/2021 02:20

Komisioni i specialistëve të pandemisë ka vendosur që të shtyhet lockdown i përgjithshëm në vend edhe të paktën një javë deri në datën 18 janar. Megjithëse jo në mënyrë unanime është aprovuar vetëm hapja e shkollave fillore dhe kopshteve ditën e hënë, 11 janar.

Ndërsa është kundërshtuar rihapja në këtë fazë e dyqaneve të vogla për shitje elektronike apo nëpërmjet telefonit dhe dorëzim të mallrave jashtë tyre. Gjithashtu është vendosur masa e karantinës 7 ditore për të gjithë ata që vijnë nga jashtë vendit me linjat ajrore deri në datën 21 janar.

Ndërkohë siç ka deklaruar kryeministri Mitsotakis, Greqia fillon të hënën vaksinimet për personat mbi 85 vjeç, pasi është në përfundim e sipër vaksinimi i gjithë personelit mjekësor në vend dhe procesi po vazhdon me ritme të kënaqshme, ndërsa numri i personave që vaksinohen çdo ditë do të shkojë nga 5000 në mbi 8000 vetë.

‘Dje, u kryen 5,538 vaksinime. Në total,deri tani gati 27,000 bashkëqytetarë janë vaksinuar. Dhe sigurisht, shumë i rëndësishëm është fakti që duhet ta themi dhe mbështesim se nga e hëna 11 janar hapet platforma online e takimeve për vaksinim te bashkëqytetarëve tanë që i përkasin grupmoshës 85 vjeç e lart’- tha Mitsotakis.

Greqia ka regjistruar në total rreth 143500 të prekur, numri i viktimave ka shkuar me 49 vdekjet në 24 orët e fundit në gati 5,200 prej fillimit të pandemisë, ndërsa trajtohen në terapi intensive 386 persona. Ndërkohë raportohet se numri i atyre që janë infektuar me variantin britanik të Covid-19 ka shkuar në tetë persona.

Specialistët i trembën një vale të tretë të pandemisë për shkak të mosrespektimit të masave ditët e festave të fundvitit. Ndaj dhe mbetet në fuqi ndalimi i qarkullimit te qytetarëve nga një prefekturë në tjetrën, mbyllja e biznesit të vogël si dhe e restoranteve, ndërsa hapja e shkollave të mesme dhe universiteteve do të shqyrtohet pas dhjetë ditëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA