E mund Laçi, Kukësi në krizë/ Tirana frenohet edhe në Ballsh nga Bylis

09/01/2021 18:33

Sfida me Laçin duhet të ishte e kthesës për Kukësin, por skuadra verilindore bëri sërish një hap fals. Në Laç, vendasit fituan ndaj verilindorëve 3-2 në një ndeshje shumë të bukur ku u shënuan plot 5 gola duke thelluar krizën e Kukësit.

Kurbinasit u shfaqën superiorë për 60 minuta kur morën edhe kryesimin në rezultat me rezultatin 3-0. Emiliano Musta, Harmon dhe Xhixha ishin autorët e golave për kurbinasit, të cilët më pas u duk se lëshuan në lojën e tyre nga e cila u përpoq të përfitonte Kukësi.

Agim Ibraimi në minutën e 64 dhe më pas në minutat shtesë Eze shkurtuan rezultatin në 3-2 me golat e tyre që të dy nga pika e bardhë e 11 metërshit ndërkohë që Laci e mbylli sfidën me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Mustës.

Nuk pati fitues në sfidën mes Bylisit dhe Tiranës . Në Adush Muca kjo përballje u mbyll me barazimin 0-0, por u kushtëzua shumë nga gjendja e rënduar e fushës së lojës për shkak të reshjeve të shiut. Barazim përfundoi edhe sfida e luajtur në stadiumin e Kamzës mes Kastriotit dhe Skënderbeut, por me rezultatin 2-2. Shkalla i dha avantazhin Kastriotit në minutën e 24, por Skënderbeu arriti të përmbysë gjithçka teksa barazoi me Mensah dhe më pas mori avantazhin me Kosta Vangjelin.

U duk se Skënderbeu po merrte 3 pikët e kësaj sfide, kur Kastrioti barazoi me Mehmetin në sekondat e fundit të sfidës

Top Channel