Disa biznese në Belgjikë kanë ndaluar përkohësisht eksportet drejt Britaninë së Madhe, për shkak të frikës se malli mund ti bllokohet, tani që Britania nuk është më pjesë e Bashkimit Europian.
Pas daljes së Britanisë nga unioni, produktet që Belgjika do t’i shesë anglezëve do të kushtojnë më shumë, për shkak të kostove më të larta të transportit.
Në një analizë që BBC bën në Belgjikë, Brexit ndikon drejtpërdrejt në koston e ekpsorteve.
BBC ka folur me tre kompani që tregtojnë më shumë produkte drejt Mbretërisë së Bashkuar, për të gjetur se çfarë ndryshimesh mund të presin konsumatorët pas Brexit.
Kaat, që zotëron një biznes bimësh në Belgjikë, dërgon 75% të prodhimit të saj në Britani.
“Nuk donim të merrnim përsipër riskun se bimët mund të bllokoheshin, të mos pranohen nga inspektorët britanikë. Po bëhet shumë e vështirë sepse bimët mund të dëmtohen ose prishen. Më vonë, mund të vendosim të mos eksportojmë disa lloje bimësh sepse janë shumë delikate”.
Kur bën marrëveshje tregtare, gjërat janë më të lehta, shton ajo.
Në Belgjikë prodhohen rreth 700 lloje birrash. Edhe këto kompani duhet të ndalojnë dërgesat drejt Anglisë.
Kompanitë e dërgesave nuk janë të përgatitura se çfarë do të ndodhë pas Brexit. Ndryshimet tregojnë se për transportin kompanitë duhet të paguajnë 35% më shumë. Rrjedhimisht, këto produkte do të kushtojnë më shumë.
Një kompani çokollatash vazhdon të eksportojë drejt Britanisë, por kostot janë rritur dukshëm.
“Ekstra transport dhe më shumë dokumente do të thonë kosto më te lartë monetare dhe më shumë kohë. Dikush duhet të paguajë për këto kosto shtesë, kështu që çmimi i produkteve do të jetë më i shtrenjtë”.- thotë një përfaqësuese e kompanisë.
E pyetur nëse mendon se britanikët do të paguajnë më shumë, ajo përgjigjet: “Ne shpresojmë që po, britanikët i duan shumë çokollatat, uroj t’i blejnë po aq shumë”.
Që prej 1 janarit të këtij viti, Mbretëria e Bashkuar nuk është anëtare e Bashkimit Europian dhe i duhet të bëjë marrëveshje tregtare me të gjitha shtetet që synon të ketë eksporte dhe importe.
Top Channel