Bayerni i Mynihut pëson humbjen e dytë në kampionat, këtë herë në transfertën ndaj Borussia Monchengladbach dhe për më tepër me përmbysje 3-2, pasi kishin kaluar në avantazh të dy golave.
Robert Lewandowski zhbllokoi sfidën me ekzekutimin e saktë të një penalltie, ndërsa në minutën e 26’ ishte mesfushori Leon Goretzka që shënoi edhe golin e dytë për bavarezët, duke krijuar idenë e një fitoreje të lehtë.
Megjithatë vendasit nuk u dorëzuan dhe arritën të shënojnë dy herë brenda pjesës së parë, në të dy rastet me anë të mesfushorit Jonas Hoffman, i cili u shërbye nga sulmuesi Lars Stindl.
Në fillim të pjesës së dytë ishte Neuhaus që shënoi golin e tretë për Borussia Monchengladbach, duke kompletuar një përmbysje të çmendur, ndërsa me këtë fitore, vendasit ngjiten në vendin e 7 me 24 pikë, 9 më pak se Bayerni kryesues.
Nga ana tjetër bavarezët rrezikojnë të dorëzojnë të paktën përkohësisht kreun, pasi nëse Leipzig do të fitojë nesër në përballjen me Borussia Dortmund atëherë mund të parakalojë kampionët në fuqi të Gjermanisë.
Top Channel