Gjirokastër/ U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, dy të rinj në pranga

08/01/2021 08:34
Ilustrim

Goditet një tjetër rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shtetasve që vijnë nga vendet e treta.

Sekuestrohet një automjet dhe tre aparate celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasit M. Xh., 25 vjeç dhe I. B., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në fshatin Vanistër, u kapën duke transportuar me automjetin tip “Mercedez Benz”, 2 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet dhe tre aparate celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel