Biden: Një nga ditët më të errëta/ Presidenti i zgjedhur kritikoi Trump, por edhe autoritetet që reaguan butë ndaj protestuesve

08/01/2021 00:57
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden ka kritikuar të enjten presidentin, Donald Trump, teksa i ka përshkruar protestat e 6 janarit në Kongres si një nga ditët “më të errëta” në historinë amerikane.

‘Ai ndërmori një sulm të drejtpërdrejtë mbi institucionet e demokracisë sonë. Ajo e djeshmja, ishte kulmi i këtij sulmi të pamëshirshëm’- tha Biden.

Për Biden, sulmi mbi kongresin, ishte “një nga ditët më të errëta të historisë sonë si shtet. ‘Ajo e djeshmja, në këndvështrimin tim, ishte një nga ditët më të errëta në historinë e kombit tonë. Një sulm i paprecedenttë mbi demokracinë tonë, një sulm i pastër mbi bastionin e lirisë, mbi vetë Kongresin Amerikan, një sulm ndaj sundimit të ligjit’- shtoi presidenti i zgjedhur.

Biden po ashtu kritikoi autoritetet se u janë përgjigjur më butë protestuesve pro-Trumpit sesa protestuesve kundër racizmit, të cilët vitin e kaluar, gjatë protestave në Uashington, u shpërndanë me forcë nga policia. “Askush nuk mund të më bindë se nëse do të kishte qenë grupi ‘Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi’ që protestonin dje …. ata do të ishin trajtuar shumë, shumë më ndryshe sesa turma e banditëve që sulmuan Kongresin. Ne të gjithë e dimë se kjo është e vërtetë dhe është gjë e papranueshme”- vijoi Joe Biden.

Katër persona humbën jetën në ngjarjet e dhunshme në Uashington kur mbështetës të presidentit aktual Donald Trump hynë në ndërtesën e Kongresit, ku po mbahej mbledhja e përbashkët për konfirmimin e fitores së Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020. Ndonëse për disa orë Kongresi ndërpreu seancën, punimet vazhduan më vonë, ku Biden u konfirmua fitues i zgjedhjeve amerikane. Biden pritet të inaugurohet si president i SHBA-së më 20 janar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA