Vllaznia pret Teutën/ Trajneri i shkodranëve kërkon fitore

07/01/2021 15:41

Rikthehet menjëherë në fushë futbolli shqiptar pas pushimeve të shkurta të festave të fundvitit me një përballje të rëndësishme sic është ajo mes Vllaznisë dhe Teutës, praktikisht vendi i parë dhe i dytë në klasifikim.

Në prag të takimit me “Djamt e Detit”, trajneri i Vllaznisë Tomas Bërdaric shprehet i optimist për një fitore.

Tomas Bërdaric: Cfarë ka ndodhur në vitin e shkuar i përket së shkuarës ne tashmë na duhet të vazhdojmë të përmirësohemi dhe të mbajmë këtë ritëm. Jemi në vendin e parë dhe të gjithë kërkojnë të na mundin dhe për këtë ne duhet të jemi të përgatitur duke filluar që nga ndeshja e së nesërmes me Teutën. Ne e njohim kundërshtarin pasi e kemi parë se si luan dhe se në cfarë pozicioni është, për këtë arsye besoj që do të kemi një sfidë të vështirë me ta. Skuadra ime është e motivuar shumë për të treguar se kush është, dhe ky është një shans i mirë për ti mundur, por do të jetë e vështirë.

Ndërkohë që në pritje të sulmuesit Dunga, Vllaznia ka zyrtarizuar blerjen e re, Albion Avdiajn, të marrë nga Tirana që në merkaton e verës por i pa aktivizuar asnjë ndeshje. Në fjalët e tij të para ai shprehet i zhgënjyer nga bardheblutë dhe i gatshëm për aventurën e re.

Ndërkohë Teuta ka arritur të gjej një ritëm tjetër dhe rë rikuperojë pikë e rrjedhimisht edhe pozicione, duke u ngjitur në vendin e dytë. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini vërtet konsiderohet si një ekip barazimesh, por ende është e pathyeshme në këtë sezon.

Ndeshja mes Vllaznisë dhe Teutës do të hapë serinë e takimeve të javës së 13-të, ndërkohë që 4 çiftet e tjera do të luajnë ditën e shtunë. Të gjitha këto ndeshje do të keni mundësinë t’i ndiqni drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht në Digitalb.

Top Channel