Si ta kuptojmë që zemra po na paralajmëron për një infarkt të mundshëm?

07/01/2021 16:14

Në 29 dhjetor, Arjan Fresku humbi jetën në një aksident automobilistik në Durrës, por më vonë ekspertiza zbuloi se kishte pësuar vdekje të parakohshme nga infarkti në zemër.

46 vjeçari ishte biznesmen dhe po sillte mallin nga jashtë shtetit, në kohën kur ndodhi aksidenti.

Familjarët e Freskut rrëfejnë se para se të nisej për rrugë, ai ndjente një dhimbje në kraharor.

Mjekja kardiologe, Danjela Teferici shpjegon se shqetësimi që ka pasur biznesmeni ka qenë paralajmërim. “Nëse do të ishte treguar i kujdesshëm dhe të shkonte te mjeku mund të kurohej. I ka dhënë shenjat që në fillim. Mesa dëgjova i ndjeri ka pasur shenja, dhimbje të fortë në gjoks. Është nënvlerësuar dhe nuk është marrë seriozisht. Mendoj se është vdekje e papritur nga infarkti i miokardit”.

Por, si të dallojmë dhimbjen e zemrës para një infarkti të mundshëm nga dhimbje të tjera të tjera të zakonshme, siç është ftohja?

Dhimbja me origjinë nga sëmundja kardiake ka specifikat  e veta, nuk është shpuese, është shtrënguese, nuk ndodh kur merr frymë. Të zë si ngërç dhe vazhdon disa minuta, deri në 20 minuta.

Mund të jetë 2-3 minuta, nëse zgjat mbi 20 minuta, mund të jetë infarkti i miokardit.

Një person që ka pasur në familjen e vet ose kushërinjtë e parë të paktën 2 vdekje të tilla, është i rrezikuar nga një vdekje e papritur.

Duhet të shkojnë te mjeku, të bëjnë një elektrokardiogramë (shiriti i zemrës).

Vdekjet e papritura i marrin jetën 7 milionë njerëzve në botë, zakonisht ndodhin në dekadën e 3 dhe te 4 të jetës“.- shpjegon kardiologja.

Ndërkohë, Gëzim Hoxha nga shoqata kombëtare në ndihmë të të aksidentuarve apelon që qytetarët të mos ngasin makinë nëse janë në gjendje të përgjumur ose në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Duhet ta marrin me seriozitet, sepse marrin ilaçe në farmaci kur nuk ndihen mirë, dhe këto ilace japin efekte anësore, p.sh përgjumje. Në asnjë mënyrë mos t’i japin makinës në atë gjendje. Rrisni kujdesin ndaj vetes!

Top Channel