Partitë politike mund të aplikojnë për çertifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga nesër deri më 16 janar, ndërsa çertifikimi i tyre nga ky institucion do të përfundojë më 22 janar.

Gjatë kësaj periudhe do të shqyrtohen listat me kandidatë të cilat do të dërgohen në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, AKI e institucione të tjera për verifikim. Kështu është vendosur në mbledhjen e sotme të KQZ-së në të cilën u bë e ditur se buxheti për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë 5 milionë e 650 mijë euro.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se mjetet të cilat nuk do të shpenzohen do të kthehen prapa pas zgjedhjeve.

“Projeksion i buxhetit është 5 milionë e 650 mijë, kjo do të kërkohet që nga dita e nesërme nga Qeveria që të bëhet alokimi që të mund t’i fillojmë procedurat, ky është totali i buxhetit të projektuar, është projeksion që nuk do të thotë se i tërë ky buxhet do të harxhohet, si zakonisht KQZ gjithmonë i kthen pjesën e mbetur të parave pas përfundimit të zgjedhjeve”, tha ajo.

Ajo ka bërë të ditur se fushata zgjedhore do të fillojë më 3 shkurt dhe do të zgjasë dhjetë ditë.

“Data 8 janar dhe përfundon më 16 janar, ndërkaq KQZ ka afat që nga 21 janari deri më 22 janar të bëjë certifikimin e këtyre subjekteve dhe kandidatëve të tyre. Po ashtu mbajtja e shortit për renditje në fletëvotim do të jetë më datën 1 shkurt ndërkaq fushata zgjedhore do të jetë nga data 3 shkurt dhe përfundon më 12 shkurt”, tha Daka.

Në këtë periudhë KQZ do të dërgojë për verifikim listën e kandidatëve në institucionet kompetente, ka bërë të ditur Alim Rama.

“Prej të cilave llogaritet edhe periudha për shqyrtimi ne listës së kandidatëve me institucionet e tjera, Këshillin gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, AKI-në, MPJ-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes, për verifikim sipas nenit 29 të ligjit zgjedhor të Kosovës si dhe vendimit të gjykatës”, tha Rama.

Ndërsa periudha për kundërshtim të listës së votuesve do të jetë 22 deri më 28 janar ndërsa certifikimi përfundimtar i listës bëhet më 2 shkurt.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u bë e ditur se regjistrimi i personave që do të votojnë përmes postës do të fillojë më 13 janar dhe përfundon më 24 të këtij muaji. Ndërsa periudha e votimit me postë do të fillojë më 2 shkurt dhe përfundon 24 orë para zgjedhjeve.

Ushtruesja e detyrës së postit të presidentit, Vjosa Osmani mbrëmë ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për datën 14 shkurt të këtij viti.

Kjo erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka konstatuar se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo legjitimi dhe ka rekomanduar shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA