Kosova siguron vaksinat/ Në shkurt nis vaksinimi, çdo ditë 20 mijë persona

06/01/2021 15:21

Kosova do të pranojë brenda muajit shkurt dozat e para të vaksinës për imunizim të popullatës kundër virusit Covid 19.

Këto vaksina do të vijnë si rrjedhojë marrëveshjeve të arritura për sigurimin e afër 2 milionë vaksinave, prej tyre 535 mijë nga kompania amerikane “Pfizer”, 600 mijë nga Austria dhe nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë 720 mijë.

Drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tregoi se me prioritet për t’u vaksinuar janë: stafi mjekësor, personat mbi moshën 65 vjeçare dhe personat me probleme shëndetësore kronike.

Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tregoi se synojnë vaksinimin e 20 mijë qytetarëve brenda dite, për çka kanë kërkuar edhe asistencë teknike.

Deri në ardhjen e dozave të para, Qendrat e Mjekësisë Familjare do t’i telefonojnë qytetarët që janë më prioritet për t’u vaksinuar për të marrë konfirmimin se duan të vaksinohen dhe informacionet e tjera mbi shëndetin e tyre.

Të dhënat e tyre do të futën në databazë dhe në momentin e vaksinimit do të pajisen me kartelë të imunizimit.

Top Channel