Marrëdhëniet diplomatike midis Katarit dhe katër shteteve arabe janë rivendosur pas një embargoje më shume se trevjeçare.
Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerika ka vazhduar të mbajë marrëdhënie të ngushta me Katarin dhe rivalët e tij, por disa përpjekje të shkuara të administratës Trump për pajtimin e palëve, kishin rezultuar të pasuksesshme. Këto javë megjithatë, Washingtoni zyrtar kishte ushtruar një presion të madh e të vazhdueshëm për fundin e mosmarrëveshjeve.
Ministri i Jashtëm saudit, princi Faisal bin Farhad, pohoi se të gjitha këto vende u pajtuan “për t’i lënë mënjanë grindjet” në samitin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti i patën ndërprerë lidhjet me Katarin në vitin 2017, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit. Katari i ka mohuar akuzat dhe i ka hedhur poshtë kushtet për t’i dhënë fund bllokadës së pjesshme, duke përfshirë mbylljen e rrjetit të transmetimit Al Jazeera.
Në samit, u nënshkrua pakti që sipas princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, konfirmon “stabilitetin dhe solidaritetin tonë”.
“Sot ekziston një nevojë e dëshpëruar për t’i bashkuar përpjekjet tona, për të promovuar rajonin tonë dhe për t’u përballur me sfidat që na rrethojnë, veçanërisht me kërcënimet që paraqet programi i raketave bërthamore dhe balistike të regjimit iranian dhe planet e tij për sabotim dhe shkatërrim”, tha Mohammed bin Salman, princi saudit i kurorës.
Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit përbëhet nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Omani, Kuvajti dhe Katari.
Top Channel