Kontrata e Elseid Hysajt me Napolin skadon në qershor të këtij viti, por që prej ditës së djeshme, mbrojtësi shkodran i Kombëtares Shqiptare ka fituar të drejtën për të nënshkruar me cilin klub të dojë, për sezonin e ardhshëm.
Menaxheri italian Mario Giuffredi, i cili kujdeset për interesat e Hysajt, deklaroi për mediat italiane se momentalisht gjasat më të mëdha janë që mbrojtësi të largohet nga Napoli, por nuk e mbylli derën e një rinovimi të mundshëm.
“E sigurt është që do ta mbyllë këtë sezon me Napolin, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë. Ka 51% mundësi që të rinovojë me Napolin, pasi ai dëshiron të qëndrojë, por drejtuesit e klubit i kanë në tavolinë kërkesat tona. Nëse te Napoli zgjohen nesër dhe vendosin të rinovojnë, atëherë do ta bëjmë. Megjithatë nuk jemi të shqetësuar, pasi kemi oferta edhe nga jashtë”, deklaroi Giuffredi.
Napoli pagoi 5 milionë euro në verën e 2015-ës për të blerë kartonin e shkodranit nga klubi i Empolit, ndërsa në 5 sezone e gjysmë, Hysaj numëron 199 ndeshje me fanellën e kaltër dhe vetëm një gol të shënuar.
Top Channel