​Sigurohen 2 milionë vaksina antiCOVID, Hoti tregon kush vaksinohen të parët

06/01/2021 13:57

Vaksinat e para anti-Covid në Kosovë pritet të vijnë në muajin shkurt. Kjo pasi Qeveria e Kosovës ka arritur të sigurojë afër 2 milionë doza të saj. Teksa pritet që brenda një dite të vaksinohen rreth 20 mijë persona.

Kështu bëri të ditur në një konferencë për media kryeministri Avdullah Hoti, ku ka prezantuar Strategjinë e imunizimit kundër covid-19, për çka tha se është bërë një punë e madhe.

Kreu i ekzekutivit ka bërë të ditur se vaksinat është arritur të sigurohen me Pfizer, Austrinë dhe Covax. Ndërsa qytetarët do të kenë mundësinë të marrin këto vaksina në Qendrat e Mjekësisë Familjare (QKMF).

“Dje janë konkretizuar bisedat me Pfizer për 535 mijë vaksina, janë konkretizuar bisedat me Austrinë për 600 mijë vaksina dhe me Covax-in më herët janë kryer të gjitha procedurat e aplikimit dhe bërja pjesë e Kosovës në Koalicionin Covax, 720 mijë vaksina[…] Ne presim që sikurse në vendet e regjionit, vaksinat e para të vijnë në shkurt, të cilat do të shpërndahen sipas Strategjisë së Imunizmit”, tha ai.

Ai tregoi edhe kapacitet për vaksinimin e qytetarëve.

“Ashtu si na vijnë sasitë e vaksinave, ne bëjmë vaksinimin e grupeve të qytetarëve sipas këtyre prioriteteve: fillimisht mjekët dhe stafi tjetër shëndetësor, meqenëse këta janë në ballë të pandemisë, pastaj personat mbi moshën 65 vjeçare, personat që kanë rrezikshmëri të lartë, që përcaktohet nga lista e sëmundjeve që përcaktohet nga Komiteti i Imunizimit[…] Kapaciteti ditor i institucioneve shëndetësore në Kosovë, për QKMF në koordinim me Institutin është që të vaksinohen 20 mijë qytetarë brenda ditës dhe kjo na jep komoditet të mjaftueshëm që për një periudhë të shkurtë kohore, varësisht nga numri i vaksinave që pranojmë, të vaksinojmë një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve në Kosovë”, bëri të ditur Hoti.

E përkundër rënies së numrit të personave të infektuar me COVID-19, Hoti bëri të ditur se masat antiCOVID do të vazhdojnë të jenë në fuqi.

“Është lajm i mirë që numrat kanë rënë, numrat e të infektuarve në baza ditore kanë ra dhe ne jemi duke i mbikëqyrur nga afër, duke e rishiku çdo të premte strategjinë e masave dhe duke bërë rikategorizmin e komunave në përputhje me situatën e re të krijuar. Këto masa janë marrë model edhe nga vendete tjera. Ne do të vazhdojmë të mbajmë në fuqi këto masa në mënyrë që të përgatitemi gradualisht që të hapet shoqëria dhe të hapet ekonomia në javët e ardhshme”, u shpreh Hoti.

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj meritat për këtë ia adresoi kryeministrit Hoti.

“Gjithë kjo punë dhe ky angazhim, si detyrë dhe si obligim kushtetues është udhëhequr dhe është siguruar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, dr. Avdullah Hoti. Kemi marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 500 mijë dozave të kësaj vaksine dhe pjesa tjetër prej 35 mijë të tjera për në muajin shkurt… Gjatë kësaj jave MSH dhe kompania Pfizer do të finalizojë edhe aspektet teknike që kanë të bëjnë me sigurimin e këtyre vaksinave”, tha Zemaj.

Ndërsa drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani foli për të procedurat që do të ndiqen për vaksinimin e qytetarëve. Teksa shtoi se çdo person i vaksinuar do të pajiset me kartelë të imunizimit.

Ramadani bëri ët ditur se marrja e vaksinës nuk është e obligueshme, porse rekomandohet marrja e saj.

“Secili person i vaksinuar do të pajiset me një kartelë të imunizimit për vaksinën antiCOVID, kjo është kartelë ndërkombëtare e pranuar dhe do të jetë universale për qytetarët, për të gjithë ata, të cilët janë të imunizuar”, tha Ramadani.

Në fund, ministri Zemaj u pyet nëse ka lidhje familjare me personin e arrestuar para disa ditësh në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nën dyshimin për ryshfet, për çka nuk u përgjigj.

Top Channel