Me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë miratuar Propozim-Vendimin e Qeverisë për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Të gjitha grupet parlamentare fillimisht u shprehen pro këtij vendimi, teksa kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të rrisë buxhetin dhe përkrahjen për FSK-në.

Kryeministri Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet Propozim-Vendimit të Qeverisë për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, tha se vendimi për të dërguar FSK-në në misione paqeruajtëse jashtë vendit konfirmon besimin që kanë aleatët ndaj Kosovës.

“Përtej simbolikës, misioni i parë i pjesëtarëve të FSK-së na bën krenar edhe për faktin se ai do të bëhet në bashkëpunim të plotë me Gardën e Ajovës që ka dhënë mbështetje të madhe për ne”.

Hoti thotë se ky mision tregon se Republika e Kosovës merr përgjegjësinë për paqen globale në botë.

“Populli i Kosovës si pak popuj në botë e kupton rëndësinë e misioneve paqeruajtëse. E kemi provuar këtë para dy dekadave…Me këtë vendim ne sot renditemi krahë partnerëve tanë për të siguruar paqen në botë”, ka deklaruar më tej Avdullah Hoti.

Kuvendi i Kosovës po mban një seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e Propozim-Vendimit të Qeverisë për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Mbledhja e Kuvendit po mbahet me kërkesën e kryeministri Avdullah Hoti për dërgimin e FSK-së në misione me Gardën Kombëtare të Iowa-s.

“Në bazë të ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës me 31 dhjetor 2021, ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Iowa-s. Ky vendim i është dërguar Kuvendit të Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane”, thuhet në njoftimin e Qeverisë në detyrë.

Top Channel