Pse Indonezia vaksinon së pari popullsinë që punon, e jo të moshuarit?

05/01/2021 08:54

Derisa Indonezia përgatitet të nisë vaksinimin masiv kundër sëmundjes COVID-19, plani i saj për t’iu dhënë prioritet të rriturve me moshë pune, përballë të moshuarve, do të vëzhgohet nga afër.

Disa vende, të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Britania, që kanë nisur tashmë vaksinimin, u kanë dhënë prioritet njerëzve të moshuar, që janë më të cenueshëm ndaj sëmundjes respiratore.

Indonezia, e cila planifikon të nisë imunizimin me vaksinën e zhvilluar nga firma kineze Sinovac Biotech, thotë se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për efikasitetin e vaksinës te njerëzit e moshuar, pasi provat klinike që po zhvillohen në vend, përfshijnë njerëz të moshës 18-59 vjeç.

“Ne nuk po i kundërvihemi trendit”, ka thënë Nadia Tarmizi, zyrtare e lartë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas saj, autoritetet do të presin rekomandimet nga rregullatorët e barnave, për të vendosur për vaksinimin e të moshuarve.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur imunizimin me vaksinën e zhvilluar nga kompania amerikane, Pfizer, dhe ajo gjermane, BioNTech, e cila ka treguar se funksionon mirë në njerëz të të gjitha moshave. Indonezia ka qasje fillestare vetëm në vaksinën Sinovac.

Vendi i Azisë Juglindore ka marrëveshje për sigurimin e 125.5 milionë dozave të kësaj vaksine. Tre milionë doza tashmë kanë arritur atje.

Dërgesat e vaksinës Pfizer/BioNTech pritet të arrijnë në Indonezi nga tremujori i tretë i vitit, ndërsa vaksina e zhvilluar nga Universiteti i Oxfordit dhe kompania AstraZeneca do të nisë të shpërndahet në çerekun e dytë.

Peter Collignon, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin Kombëtar të Australisë, thotë për agjencinë Reuters se strategjia e Indonezisë mund të ngadalësojë përhapjen e sëmundjes, megjithëse mund të mos ndikojë në normat e vdekshmërisë.

“Indonezia, duke vepruar ndryshe nga SHBA-ja dhe Evropa, është për t’u vlerësuar, sepse do të na tregojë nëse do të ketë efekt më dramatik se në Evropë ose në SHBA, për shkak të strategjisë që ndjek. Por, unë nuk mendoj se dikush e di përgjigjen”, thotë Collignon.

Profesori Dale Fisher, nga Shkolla e Mjekësisë Yong Loo Lin në Universitetin Kombëtar të Singaporit, thotë se e kupton qasjen e Indonezisë.

“Të rriturit që punojnë, janë përgjithësisht më aktivë, janë më socialë dhe udhëtojnë më shumë. Andaj, kjo strategji duhet ta ulë transmetimin e sëmundjes në komunitet më shpejt se vaksinimi i individëve të moshuar“, thotë Fisher.

“Sigurisht që njerëzit e moshuar janë më të rrezikuar nga sëmundje të rënda dhe vdekja, kështu që vaksinimi i tyre ka një arsyetim alternativ. Unë shoh merita te të dyja strategjitë”, thotë ai.

A do ta ndihmojë të arrijë shpejt imunitetin e tufës?

Duke i vaksinuar më parë grupet më të lëvizshme shoqërore dhe ekonomikisht aktive, zyrtarët e Qeverisë indoneziane shpresojnë se imuniteti i tufës do të arrihet shpejt.

Ministri i Shëndetësisë i Indonezisë, Budi Gunadi Sadikin, ka thënë se vendi duhet të vaksinojë 181.5 milionë njerëz, ose rreth 67 për qind të popullsisë, për të arritur imunitetin e tufës. Për këtë qëllim, atij i duhen 427 milionë doza të vaksinës, marrë parasysh vaksinimin me dy doza dhe një shkallë të humbjes prej 15%.

Disa ekspertë janë skeptikë në lidhje me arritjen e imunitetit të tufës, pasi duhet të bëhen më shumë hulumtime, për të konstatuar nëse njerëzit e vaksinuar mund ta transmetojnë virusin ose jo.

“Mund të ketë rrezik që njerëzit të vazhdojnë ta përhapin sëmundjen te të tjerët”, thotë Hasbullah Thabrany, udhëheqës i Shoqatës së Shëndetit dhe Ekonomisë në Indonezi.

A do ta ndihmojë rikuperimin ekonomik?

Ekonomistët kanë argumentuar se një program i suksesshëm i vaksinimit, që mbulon rreth 100 milionë njerëz, do ta ndihmojë startin e ekonomisë.

Faisal Rachman, ekonomist në Bankën Mandiri në Indonezi, thotë se grup-mosha 18-59 vjeç ka nevoja konsumi, që janë më të larta se te grupet e tjera.

“Ata mund ta nxisin rimëkëmbjen ekonomike më shpejt, sepse konsumi i familjeve kontribuon më shumë se 50% në ekonominë e Indonezisë”, thotë Rachman për agjencinë Reuters.

Pandemia COVID-19 e ka shtyrë Indonezinë, ekonominë më të madhe të Azisë Juglindore, në recesionin e saj të parë në më shumë se dy dekada, vitin e kaluar. Vlerësimet e qeverisë kanë qenë për një tkurrje prej 2.2%.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, sëmundja COVID-19 ka prekur mbi 772,000 njerëz në Indonezi. Prej tyre, mbi 22,000 kanë vdekur./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA