Tottenham rikthehet te fitorja në Premier League. Në Tottenham Hotspur Stadium, skuadra londineze mposhti Leeds me rezultatin 3-0 dhe për momentin e sheh veten në vendin e tretë në klasifikim me 29 pikë po aq sa edhe Leicester dhe Everton. Edhe pse ishte skuadra e Bielsës që pati një volum më të madh loje, ishin të besuarit e Jose Mourinhos që morën këto 3 pikë shumë të vlefshme.
Tottenhamit iu desh të priste 29 minuta për të marrë avantazhin në këtë ndeshje me anë të Harry Kane me sulmuesin anglez që shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit e fituar nga Bergwijn pas një faulli të Alioskit.
Leeds tentoi të reagojë por pak minuta nga fundi i pjesës së parë, Tottenham goditi sërish skuadrën e Marcelo Bielsës me Son që e çoi rezultatin në 2-0. Menjëherë pas pushimit të sfidës, Hotspurs shënoi sërish në portën e Leeds këtë radhë me Toby Alderweireld për të fiksuar rezultatin 3-0 për londinezët që në minutat shtesë mbetën me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Doherty.
Ndërkaq, Covid-19 vazhdon të pështjellojë futbollin anglez. Drejtuesit e Premier Leagues vendosën që të shtyjnë sfidën mes Burnley dhe Fulham e programuar për t’u zhvilluar të dielën pasi pas testeve të kryera nga futbollistët dhe stafi i Fulhamit u regjistruan raste të tjera të dyshuara me koronavirus. Drejtuesit e ligës angleze të futbollit pasi morën në konsideratë edhe mendimin e mjekëve të pavarur vendosi të shtyjë këtë sfidë për arsye të jashtëzakonshme. Fulham më parë iu shty edhe sfida me Tottenham e programuar të luhej në 30 dhjetor për të njëjtin motiv.
Top Channel