Pandemia zbeh festimet/ Si u kremtua 2021 nëpër botë

01/01/2021 14:09
Kontrollet e pandemise jane shtuar ne Berlin

Pandemia e covid 19 i zbehu këtë vit festimet anekënd botës, në një kohë kur shumë vende po luftojnë për të frenuar sëmundjen dhe hovet e reja të saj.

Nga Sydney deri në New York, spektaklet e famshme të fishekzjarrëve dhe grumbullimet publike janë anuluar. Kremtimet ishin veçanërisht të heshtura në Europë ku masa të fortë anticovid janë në fuqi mes frikës se periudha festive mund të conte në një shtim të ri të rasteve. Kësaj droje I shtohet dhe paniku që ka ngjallur përhapja e një variant të ri dhe shumë më infektues të virusit, të diktuar më së pari në Britaninë, por më pas edhe në disa vende të tjera.

Auroritetet europiane u kujdesen që masat të mos shkeleshin dhe zgjidhen të mos e mbyllnin njërin sy pavarësisht se ishte një vit mjaft I vështirë ai që lamë pas dhe pak hare duhej në zemrat e njerëzve. E para për zyrtarët franceze vjen emergjenca shëndetësore, ndaj dhe Parisi zyrtar mobilizoi 100.000 policë për të ndaluar cdo grumbullim festiv në mbrëmjen e ndërrimit të viteve dhe për të zbatuar ndalim qarkullimin gjatë natës.

Dy karantina ka vendosur deri tani ky vend dhe baret, restorantet e atraksionet kulturore atje do të mbeten të mbyllura gjatë kësaj periudhe. Në fjalimin e tij të Vitit të Ri, presidenti Emmanuel Macron u përpoq të rrëzonte kritikat mbi ritmin e ngadaltë të vaksinimit në Francë, duke u zotuar të shmangen vonesat e pajustifikuara.

Në Angli, aty ku po përhapet me shpejtësi virusi I rid he 20 milionë njerëz në njërin prej rajoneve më të prekura janë të detyruar të qëndrojnë brenda, kryeministri Boris Johnson I kërkoi njerëzve të mos harrojnë respektimin e rregullave.

“Kjo do të thotë të mos takoheni me miqtë dhe të afërmit brenda ambienteve familjare, përveç rastit kur jetoni bashkë në një shtëpi dhe shmangni grumbullimet  e mëdha të çdo lloji.”  

Kujdesi përpara kremtimit, ishte ajo që iu kërkua britanikëve. Rrugët e Londrës ishin bosh natën e Vitit të ri dhe në vend të kremtimeve të zakonshme përpara London Eye, spektakle gjigante  fishekzjarresh e dritash u organizuan në pjesë të ndryshme të qytetit.

Irlanda hyri të enjten në nivelin e saj më të lartë të kufizimeve, duke ndaluar të gjitha vizitat në shtëpi, duke mbyllur dyqanet jo të domosdoshme e duke e kufizuar udhëtimin në 5 km.

Gjermania është aktualisht në izolim deri në 10 janar. Qeveria gjermane ndaloi shitjen e fishekzjarreve dhe vendosi kufizimeve të ashpra mbi numrin e njerëzvë që mund të takohen në publik. Në atë që pritet të jetë viti I saj I ri I fundit në krye të ekzekutivit gjerman, pasi planifikon të largohet pas 9 muajsh, Angela Merkel sulmoi teoritë  e konspiracionit. Në fjalim ku si rrallëherë e la veten të përfshihej nga emocionet, kancelarja tha se ajo vetëm mund ta imagjinonte sesa cinike dhe mizore,mund ti duken gënjeshtrat e rrezikshme mbi koronavirusin atyre që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.

Në Itali, u vendos shtetrrethimi në orën 22.00, e shumica  e bareve, restoranteve dhe dyqane kanë mbyllur dyert. Papa Francesk nuk arriti të mbante shërbesat e vigjiljes së ndërrimit të viteve dhe atë të ditës së Vitit të ri në Romë, pasi zuri shtratin prej një dhimbjeje kronike, e cila iu rikthye pikërisht në këtë kohë.

Në holandë, numërimi së prapthi në mbrëmjen e ndërrimit të viteve u krye në një stadium futbolli në Amsterdam me dyer të mbyllura. Turqia po ashtu ka nisur një izolim të rreptë katër ditor. Në shtetet e Bashkuara sakaq, vetëm një numër I vogël njerëzish u lejuan të dalin në sheshin  Times Square për të ndjekur rënien e famshme të sferës në mesnatë. Ata ishin kryesisht mjekë dhe infermierë nga fronti anticovid, dhe punonjës të emergjencave me familjet e tyre. Yjet interpretuan në një event të transmetuar live në television.

Njëri prej vendeve të para në botë që mirëpret vitin e ri, është Australia. Spektakli I fishekzjarreve në Sidnej u zhvillua, por pa praninë e njerëzve për ta shijuar si gjithmonë. “ Nuk duam të krijojmë ndonjë event super infektues në vigjiljen e ndërrimit të viteve”, u shpreh kryetarja e New South Wales, Gladys Berejiklian. Shumë banorë të Sidnejt e ndoqën shown piroteknik nga shtëpitë e tyre, ku grumbullimet e lejuara kufizoheshin në 5 vetë.

Top Channel