Senati kundër Trump-it/ “Jo” çeqeve 2 mijë dollarëshe

31/12/2020 12:53

Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell ka hedhur poshtë apelin e një aleance të panatyrshme mes presidentit Donald Trump dhe Demokratëve në Kongres, për të rritur ndihmat për koronavirusin në 2 mijë dollarë, nga 600 që është përcaktuar.

Ai tha se kjo nuk ka gjasa të kalojë në senat së shpejti. Dhoma e përfaqësuesve me shumicë demokrate votoi për rritjen e çeqeve të amerikanëve në 2 mijë dollarë. Edhe disa republikanë, që nuk donin të sfidonin Trump e mbështetën rritjen. Por kundërshtimi i Mek Konnell, do të thotë se nuk do të ketë një votim direkt të paketës së rishikuar të ndihmave në senat. McConnell tha se rritja e çeqeve do të ishte një tjetër shtysë për të thelluar borxhin e qeverisë amerikane.

Presidenti Trump ushtroi trysni ndaj republikanëve për të mbështetur pagesa më të mëdha stimujsh për COVID-19 për amerikanët në vështirësi, duke shkruar vazhdimisht në Twitter gjatë ditëve të fundit.

“2000 dollarë sa më shpejt!” kishte shkruar ai në Twitter, të mërkurën herët. Tensionet brenda partisë mbi përpjekjen për të rritur pagesat nga 600 dollarë të miratuara tashmë nga Kongresi u përkeqësuan nga një përplasje e dytë mbi një përpjekje në Kongres për të hedhur poshtë një veto të Trump për një projektligj të mbrojtjes.

Senati i kontrolluar nga Republikanët ishte gati të ndërmerrte një hap më shumë drejt një veprimi që do të ishte anulimi i parë i një vetoje për gati katër vitet e mandatit të presidentit Trump, me një votim procedurial të mërkurën. Me një Kongres të ri dalë nga zgjedhjet e nëntorit, që fillon sesionin të dielën, komenti i senatorit McConnell lë të kuptohet se legjislacioni që u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve të hënën, thjesht mund të lihet të skadojë.

 

 

 

Top Channel