Jetësohet Brexit/ Britania del nga tregu unik i BE

31/12/2020 22:00

Brexiti bëhet realitet në mesnatë ndërsa Britania del nga unioni evropian i doganave dhe tregu unik duke i dhënë fund gjysmë shekulli shpesh lidhjesh të trazuara me fqinjët më të afërt.

Dalja e vështirë e Britanisë nga Bashkimi Evropian, merr fuqi sapo akrepat e Big Benit të famshëm në Londër të shënojnë orën 23.00 sipas orës së Londrës, kohë kjo kur Evropa kontinentale hyn në vitin e ri 2021.

Brexiti ka dominuar politikën britanike që nga referendumi i 2016 që me një diferencë të vogël votash vulosi daljen nga blloku, duke hapur plagë të thella politike dhe sociale, që mbeten të tilla edhe sot. Por të dyja palët tani duan të ecin përpara drejt një të ardhmeje të re.Kryeministri Boris Johnson e quajti Brexitin një fillim të ri në historinë e vendit dhe një marrëdhënie të re me BE si aleatja më e madhe e Britanisë.

“Ky moment më në fund ka ardhur dhe tani është koha ta bëjmë realitet”.

Paundi britanik shënoi një rekord kundrejt dollarit amerikan para largimit të pritur nga tregu unik. Ligjërisht, Britania doli nga BE më 31 janar por ka qenë deri më tani në një periudhë tranzicioni në kuadër të bisedimeve për të siguruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Brukselin që u arrit më në fund mbrëmjen e krishtlindjes. Nga mesnata e të enjtes, rregullat e BE nuk aplikohen më dhe pasojat janë të menjëhershme, duke i dhënë fund lëvizjes së lirë të më shumë se 500 mijë personave mes Britanisë dhe 27 vendeve anëtare të BE. Kontrollet në kufi do të rikthehen për të parën herë në dekada dhe pavarësisht marrëveshjes së tregtisë së lirë, radhët dhe pengesat e tjera si pasojë e dokumentacionit, janë të pritshme.

 

Top Channel