Biden, Harris dhe Presidenti Trump drejt tubimeve në shtetin Xhorxhia

31/12/2020 03:03

Presidenti i zgjedhur Joe Biden, Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris dhe Presidenti Donald Trump po planifikojnë të bëjnë fushatë në shtetin jugor Xhorxhia në dy ditët e fundit përpara votimit që zhvillohet ditën e martë në këtë balotazh jetik për kontrollin e Senatit.

Zonja Harris po organizon një tubim të dielën në qytetin Savannah, përgjatë bregdetit të Atlantikut, për të mbështetur konkurentët demokratë, pastorin baptist Raphael Warnock, i cili përballet me Senatoren republikane Kelly Loeffler, si dhe producentin e dokumentarëve televizivë Jon Ossoff, i cili kandidon përballë Senatorit republikan David Perdue. Zoti Biden dhe Presidenti Trump kanë njoftuar të dy për zhvillim tubimesh të hënën, ditën përpara se të zhvillohet votimi fizikisht të martën.

Zoti Biden do të jetë në tubim me dy kandidatët demokratë në qytetin më të madh të Xhorxhias, Atlanta, ndërsa Presidenti Trump do të dalë më në veri, në Whitfield County, në mbështetje të Senatorëve Loeffler dhe Perdue në aeroportin rajonal Dalton. Nënpresidenti Mike Pence ka bërë fushatë më parë në këtë shtet për dy republikanët, dhe po kështu kanë bërë edhe dy nga fëmijët e presidentit, Donald Trump Jr. dhe Ivanka Trump.

Dy balotazhet u bënë të nevojshme pasi asnjë prej të katër kandidatëve nuk fitoi shumicën në zgjedhjet përkatëse më 3 nëntor, megjithëse Senatori Perdue ishte në avantazh përballë zotit Ossoff, dhe Pastori Warnock ia kaloi Senatores Loeffler. Anketimet më të fundit tregojnë rezultate shumë të afërta dhe nuk mundësojnë parashikimin e fituesve. Rezultati ka rëndësi për Uashingtonin, sepse do të vendoset kontrolli politik i Senatit gjatë dy viteve të para të presidencës Biden, pasi ai të inaugurohet më 20 janar.

Republikanët pritet të kenë një avantazh 50 – 48 kur të betohen anëtarët e rinj të Senatit të dielën. Fitorja në njërën ose të dyja balotazhet në Xhorxhia do t’u jepte republikanëve shumicën e qartë për të përcaktuar axhendën e Senatit dhe shumicën në të gjitha komisionet e Senatit. Por nëse do të fitonin të dy kandidatët demokratë Warnock dhe Ossoff, do të kishte një ndarje 50-50, demokratë-republikanë në Senat, duke i dhënë zonjës Harris mundësinë për të ndryshuar nëpërmjet votës së saj balancën në favor të demokratëve në organizimin e komisioneve dhe kontrollin e kalendarit legjislativ.

Kontrolli republikan do të komplikonte miratimin e axhendës legjislative të zotit Biden gjatë dy viteve të ardhshme, duke imponuar ndoshta negociata të gjera mbi çështje të tilla të diskutueshme si zgjerimi i përfitimeve të kujdesit shëndetësor, vendosja e kontrolleve të emigracionit dhe vendosja e rregulloreve klimatike. Kontrolli nga demokratët, nëse anëtarët e partisë votojnë në bllok, mund t’ua lehtësojë rrugëtimin inciativave të zotit Biden. Xhorxhia, dikur një bastion i qëndrueshëm republikan, anoi nga zoti Biden përkundër Presidentit Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, me pak më shumë se 12,000 vota nga 5 milionë vota të hedhura. Megjithë protestat e Presidentit Trump se manipulimi zgjedhor i kushtoi atij 16 votat elektorale të këtij shteti në Kolegjin Zgjedhor që përcakton rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane, një numërim fillestar i votave dhe më pas dy rinumërime nxorën të gjitha fitues zotin Biden.

Zoti Biden ishte kandidati i parë demokrat presidencial që fitoi në Xhorxhia në 28 vjet, duke i dhënë kësaj partie shpresën se kandidatët Warnock dhe Ossoff gjithashtu mund të fitonin garat e tyre. Pjesëmarrja në votime për balotazhet pritet të jetë e madhe, me më shumë se 2.3 milionë njerëz që kanë hedhur votën e hershme – 1.5 milion personalisht dhe 800,000 me postë. 500,000 votues të tjerë kanë kërkuar fletëvotime me postë. Por numërimi i votave deri më tani nuk dihet pasi votat e hershme mund të tabulohen vetëm duke filluar nga e marta. Pjesëmarrja deri më tani ka qenë më e larta në disa nga zonat e shumëpopulluara rreth Atlantës që i dhanë zotit Biden fitoren e ngushtë në këtë shtet.

Top Channel