Aktori, fitues i cmimit Oskar, Antoni Hopkins, ka postuar një video në Twitter me të cilën feston 45 vite esëll të tij, duke i dhënë një mesazh inkurajues fansave.
82 vjeçari Hopkins i kërkoi fansave ta prisnin me shpresë 2021, pas një viti të vështirë, plot me trishtim për shumëkënd në videon e postuar në rrjet. “Si sot 45 vite më parë, pata një thirrje zgjimi… po shkoja drejt katastrofës, pija për vdekje. Unë nuk besoj shumë por mora një mesazh nga lart”, tha aktori, i famshëm për rolin e tij si vrasësi serial Hannibal Lecter.
“Një zë brenda meje më pyeti: do të jetosh apo vdesësh? Dhe unë thashë – dua të jetoj. Pas kësaj, shpëtimi erdhi dhe jeta ime ka qenë e mrekullueshme”.
Hopkins pranoi se ai ka patur edhe momente të vështira, por i kërkoi njerëzve të mbeteshin pozitivë. “Unë them, mbahuni fort. Sot është e nesërmja për të cilën ishit shumë të shqetësuar dje. Të rinj, mos u dorëzoni, mbahuni e vazhdoni të luftoni. Bëhuni të fortë dhe atëherë forca e brendshme do t’ju vijë në ndihmë. Kjo ka ndodhur me mua”.
Top Channel