Tirana-Vllaznia, barazim/ Shkodranët janë tashmë kampionët e dimrit

30/12/2020 20:01

Klasikja e futbollit shqiptar mes Tiranës e Vllaznisë u mbyll në një barazim emocionues 1-1 në stadiumin Selman Stërmasi, rezultati që nuk e ndryshoi renditjen e kategorisë Superiore.

Në minutën e 13 Ernset Muçi i dha epërsinë Tiranës pas një asisti nga Halili ndërsa bardheblutë imponuan lojën e tyre edhe në shumicën e pjesës së parë, ku shpërdoruan raste për dyfishim.

Çerek ore nga fundi ekuilibrat u prishën arbitri kryesor përjashtoi me karton të kuq Torasën për sjellje josportive, dhe kjo dha efekt negativ edhe te skuadra pritëse. Tirana vuajti presionin e Vllaznisë që arriti të barazonte me Imerin. Shkodranët iu afruan një super përmbysje, por Bekaj i mohoi Hoxhajt një gol të sigurt, duke fiksuar shifrat 1-1.

Ndërkohë Vllaznia paralelisht me këtë ecuri pozitive po përpiqet të zgjidh edhe çështjen financiare dhe të pronësisë

Tetuta ka gjunjëzuar Kukësin me shifrat 3-0 duke i dhënë një tjetër goditje verilindorëve në ndeshjen e zhvilluar në Elbasan Arena. Emiliano Vila dhe Lorenc Vila shënuan në portën e Kukësit ndërsa autori i tretë ishte Dejvi Bregu. Ndërkohë në ndeshjet e tjera të javës së fundit të Superligës për këtë vit 2020, Laci mundi 3-2 Partizanin duke përmirësuar renditjen me suksesin e merituar ndaj kryeqytetasve.

Një festival golash u regjistrua në Korçë mes Skënderbeut dhe Bylisit, sfidë që i dha vendasve 3 pikë në suksesin minimal 4-3. Rezultati ndryshoi disa herë krah, deri në rrjetën finale të Berishës. Gjithashtu për t’u veçuar në këtë javë ishte fitorja e Apolonisë në derbin e debutuesve në elitë, 2-1 ndaj Kastriotit, rezultat që nuk i shkëput gjithsesi fierakët nga vendi i fundit.

Top Channel