Shefi i OBSH-së: Vaksinimi i gjithë botës do të marrë kohë

30/12/2020 21:07

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se do të duhet kohë për ta vaksinuar botën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), duke u bërë thirrje njerëzve që t’u përmbahen masave të provuara që i mbajnë të sigurtë kundër pandemisë globale.

Drejtori i Përgjithshëm i OBHS-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, publikoi një video-deklaratë një ditë përpara përvjetorit të parë që kur u raportua grupi i parë i rasteve me “pneumoni me shkaktar të panjohur”, më vonë i identifikuar si koronavirus i ri, SARS-CoV-2, që çoi në pandeminë COVID-19.

Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, nuk kishte raste të njohura jashtë Kinës të asaj që tani quhet COVID-19.

Por sot, ka më shumë se 82 milionë raste dhe mbi 1,8 milion vdekje globale të konfirmuara, sipas Universitetit Johns Hopkins në SHBA.

“Vaksinat ofrojnë një shpresë të madhe për të kthyer rrjedhën e pandemisë”, tha shefi i OBSH-së, duke përsëritur se “ka dritë në fund të tunelit”.

Për t’i mbrojtur të gjithë, bota duhet të sigurojë që të gjithë njerëzit në rrezik të vaksinohen kudo, jo vetëm ata në vendet që kanë mundësi për ta siguruar vaksinën.

“Do të duhet kohë për t’i vaksinuar të gjithë kundër COVID-19. Ne duhet të vazhdojmë t’u përmbahemi masave të provuara që na mbajnë të gjithëve të sigurtë”, tha Tedros, duke mos dhënë ndonjë parashikim se kur mund të ndodhë që e gjithë bota të vaksinohet.

“Kjo nënkupton ruajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave të fytyrës, praktikimin e higjienës së duarve dhe frymëmarrjes”, shtoi ai.

Vende si Britania, SHBA-ja, vendet e BE-së, Kanadaja, Kili, Izraeli, Omani, Katari dhe Rusia tashmë kanë filluar vaksinimin.

Në disa vende evropiane, si dhe në Britani dhe SHBA, ka raportime se vaksinimet po shkojnë më ngadalë se sa që pritej.

Shefi i OBSH-së theksoi se për t’i imunizuar të gjithë në rrezik, urgjentisht duhen mbi 4 miliardë dollarë për COVAX Facility, iniciativë globale që bashkon qeveritë dhe prodhuesit, “për të blerë vaksina për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta”.

Ai gjithashtu tha se ngjarjet e vitit 2020 kanë treguar që qeveritë duhet të rrisin investimet në shëndetin publik.

Kjo përfshin financimin e qasjes në vaksinat COVID-19 për të gjithë njerëzit dhe bërjen e sistemeve shëndetësore më të përgatitura për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur pandemisë së ardhshme të pashmangshme.

“Në thelb të kësaj qëndron investimi në mbulimin shëndetësor universal për ta bërë shëndetin për të gjithë realitet”, tha ai./AA/

Top Channel