​Hoti kandidat i LDK-së për kryeministër: I bindur se LDK do të fitojë zgjedhjet

30/12/2020 17:58

Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër në zgjedhjet që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm. Hoti sot ka marrë besimin e kryesisë së kësaj partie që të jetë në garë për të parin e qeverisë së re të vendit.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, tha se kryesia e partisë që ai drejton kanë diskutuar për punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe se kanë vlerësuar se ekzekutivi ka bërë punë të mirë.

Mustafa tha se Hoti dhe qeveria e udhëhequr nga ai ka arritur sukses në rikthimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, të ruajë marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në. Po ashtu, tha se Hoti ka bërë punë të mirë edhe në luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe në rimëkëmbjen ekonomike.

Të gjitha këto, Mustafa tha janë arsye se pse Avdullah Hoti do të jetë kandidati i tyre për kryeministër të vendit.

Mustafa tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndodhur për faj të qeverisë, pasi që ajo nuk i zgjedh deputetët.

“Qeveria e ka bërë punën mirë, se Hoti si kryeministër i kësaj qeverie e ka drejtuar në mënyrë të drejtë punën e qeverisë, ka treguar se edhe vetë edhe qeveria zbaton ligjin dhe lufton krimin e korrupsionin dhe ka aftësi dhe mundësi t’i bëjë mirë qeverisjes së këtij vendi. Kjo na ka shtyrë që edhe sot ne ta konsiderojmë se Hoti është kryeministër i kësaj qeverie në vazhdim që pas daljes në Gazetën zyrtare të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do të jetë qeveri në detyrë, do të vazhdojë ta bëjë atë punë dhe po ashtu do të vazhdojë të jetë kandidat i yni për kryeministër të vendit edhe në zgjedhjet e ardhshme. Kemi aprovuar edhe kriteret udhëzuese për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Këto kritere kemi paraparë që kandidatët tanë për deputetë duhet të jenë njerëz që besojnë në LDK dhe programin e saj, që i qëndrojnë besnik këtij programi, njerëz që kanë pastërti të figurës dhe që nuk kanë pasur asnjëherë problem me ligjin”, tha ai.

Mustafa bëri të ditur se Hoti ka marrë përkrahjen e të gjithë anëtarëve të kryesisë. Kandidat tjetër tha se nuk janë propozuar në kryesi, por që tha se ai ka biseduar me persona brenda LDK-së, por që të gjithë kanë vlerësuar se Hoti është kandidati më i duhur për postin e kryeministrit.

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, njëherësh kandidati i LDK-së për kryeministër, tha se është mirënjohës për besimin që e ka marrë nga partia e tij, derisa është shprehur i bindur se LDK do të fitojë në këto zgjedhje.

“Ne do të ndërtojmë ekipet e nevojshme me njerëzit më të mirë për të treguar se si do të vazhdojmë të qeverisim më tutje. Besoj që gjatë këtyre 7 muajve të qeverisjes kemi dhënë evidencë të fortë në gjërat kryesore duke filluar nga sundimi i ligjit, nga luftimi i krimit dhe i korrupsionit, nga kthimi i partneriteteve të Kosovës, të cilat janë dëmtuar më herët. Nga një rezultat i jashtëzakonshëm në luftën kundër pandemisë dhe mbi të gjitha me mbështetjen që e kemi dhënë për qytetarët dhe për bizneset me pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Në ditët e ardhshme në fakt brenda një jave dy unë do të dal para qytetarëve me ofertën tonë të re programore dhe me ekipin me të cilën ne do të garojmë në këto zgjedhje. Unë jam i bindur që ne jemi favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje, bazuar në rezultatet e punës së kësaj qeverie, jo në ‘fluska’ që i dëgjojmë poshtë e lartë”, tha ai.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, tha se në këto zgjedhje do të garojnë të vetëm, por që tha se mbeten të hapur që në listën e tyre mund të hyjnë përfaqësuesit e ndonjë subjekti të vogël politik dhe se nuk do të kenë vija të kuqe për asnjë parti politike.

“Për koalicione po ju njoftojë se nuk do të bëjmë me asnjë subjekt politik përpos asaj që si LDK mbesim të hapur që në listën tonë mund të hyjnë përfaqësuesit e ndonjë subjekti të vogël politik, por gjithsesi vetëm me listën e LDK-së. Pranimi për koalicion nuk varet vetëm prej vijave të kuqe, por ndonjëherë varet edhe prej programit, varet edhe prej mënyrës së komunikimit edhe mënyrës së komunikimit dhe prej besimit të ndërsjellët se neve na i ka prishur koalicioni mungesa e një besimi të ndërsjellë në të cilin ne kemi besuar shumë përpara me LVV-në. Por, unë jam shprehur publikisht edhe para kësaj se LDK duhet t’i heqë vijat e kuqe, sepse nuk kemi hapësirë në Kosovë më të zbatojmë vija të kuqe dhe këto vija të kuqe unë jam i bindur se do t’i heqim, do t’i mënjanojmë për të gjitha subjektet politike të cilat hyjnë në garë dhe të cilat nesër do të jenë subjekte në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

I pari i LDK-së u pyet se a beson edhe ai se LDK do të dalë e para në zgjedhje duke qenë se në vitin 2017 kishte garuar po me Avdullah Hotin si kryeministër, tha se atëherë ka ndodhur koalicioni i PAN-it. Këtë herë Mustafa tha se subjektet po hyjnë veç e veç në garë dhe se është i bindur në suksesin e LDK-së.

Kreu i LDK-së Isa Mustafa, i ka uruar suksese ish-bashkpartiakes që në zgjedhjet e fundit kishte qenë kandidate për kryeministre nga LDK Vjosa Osmanit, e cila ka paralajmëruar se në zgjedhje do të garojë me listën e saj.

“Tani unë nuk mund të jap vlerësime, unë i uroj suksese Osmani meqenëse hynë në një garë vetë dhe rezultatet do të tregojnë se për kë janë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Mustafa ka komentuar edhe deklaratat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti se do të dalin të parët dhe do të bëjnë qeverinë me Vjosa Osmanin.

“Deklaratat e tilla nuk i shoh pa një zor të madh, sepse Albin Kurti nganjëherë duket që mund të jetë racional nganjëherë nuk është racional, kur njerëzit e kanë një zor pastaj e shpallin vetën mbret në mënyrë që të lënë përshtypje se ata janë të parët dhe nuk ka kush i mund. Unë këtë çështje ia lë qytetarëve jo opinionistëve dhe jo sondazheve… Unë në asnjë rast nuk mund ta garantojë Kurti që votuesit e LDK-së do ta votojnë LVV-në ose do ta votojnë dikë tjetër, votuesit e LDK-së do ta votojnë LDK-në, në qoftë se ndonjë subjekt tjetër politik heq dorë nga votuesit të vet ose ata heqin nga partia e tyre është punë tjetër, por më këtë që ka qenë deri më sot ne e kemi një proporcionalitet të pritjeve lidhur me votimet dhe në këtë unë besoj që LDK do t’i merr votat e veta dhe LDK do ta merr besimin që ajo ta bëjë qeverinë”, tha ai.

Krejt në fund, Mustafa është pyetur edhe për anëtarët e LDK-së të cilët ditëve të fundit i janë bashkuar Vjosa Osmanit, për çka tha se nuk e minimizon asnjë largim.

“Në krahasim me atë që kam dëgjuar përpara nga deklarimet e Osmani se aty do të ketë njerëz profesionistë, njerëz që kanë çka t’i japin këtij vendi do të thotë nga këto largimet shumë të pakta të njerëzve nga disa degë tona nuk kam pa personalitete, të cilët as mund t’i japin ndonjë vlerë të re listës së Vjosës as që mund t’i japin ndonjë vlerë të re Kosovës. Unë kisha dashur që ata të jenë të zot, të jenë të mirë, të aftë, të kenë përkrahje të gjerë, por si të tillë nuk janë çmuar dhe nuk janë vlerësuar brenda LDK-së, andaj nuk paraqesin humbje për LDK-në edhe pse unë nuk parapëlqej që asnjë njeri i LDK-së të largohet dhe të kalojë në ndonjë subjekt tjetër, por gjithmonë është zgjidhje e individit”, tha ai.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme vitin e ardhshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese. /KosovaPress/

Top Channel