Ekspertët e shëndetësisë në OBSH kanë paralajmëruar se edhe pse pandemia e koronavirusit ka qenë e dhimbshme, ajo nuk do të jetë domosdoshmërisht më e madhja, dhe se bota duhet të mësohet të jetojë me Covid-19.
“Fati” i virusit është që të bëhet endemik, edhe pse vaksinat kanë nisur tashmë në shumë vende, thotë profesor David Heymann, shef i grupit këshillues për infeksionet në OBSH.
“Bota ka shpresuar tek imuniteti i tufës, që në një mënyrë transmetimi të ulët nëse një numër i mjaftueshëm njerëzish bëhet imun. Por, koncepti i imunitetit të tufës është keqkuptuar. Duket se është fat i Sars Cov 2 që të bëhet endemik, ashtu sic janë bërë edhe katër koronaviruse të tjerë, dhe ai do të vazhdojë të pësojë mutacione ndërsa riprodhohet në qelizat njerëzore. Fatmirësisht, ne kemi mjetet që na duhen për të shpëtuar jetët dhe këto, të kombinuara me një shëndet të mirë publik, do të na lejojnë të jetojmë me Covid-19″.
Ndërsa për shefin e programit të emergjencave në OBSH, Mike Ryan, skenari më i mundshëm është që virusi të bëhet një tjetër virus endemik që do të mbetet një lloj kërcënimi, por i një niveli shumë të ulët, në kontekstin e një programi efektiv global vaksinimi.
“Mbetet për t’u parë se si do të shkojë procesi i vaksinimit dhe sa afër nivelit që mund të na japë mundësinë e eleminimit të tij mund të shkojmë. Ekzistenca e një vaksinë, edhe shumë efikase, nuk është një garanci për eleminimin apo çrrënjosjen e një sëmundjeje infektive”.
Ndaj sipas tij, qëllimi i parë i vaksinës është të shpëtojë jetë dhe të mbrojë njerëzit më vulnerabël. Ajo që ekspertët e OBSH-së përsërisin, është se edhe me vaksinën, e rëndësishme është që të respektohen masat e shëndetit publik, si distancimi social dhe maska mbrojtëse.
Top Channel