Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votoi me 275 vota pro dhe 134 kundër për të përmbushur kërkesën e Presidentit Trump për t’u dërguar amerikanëve pagesa prej 2000 dollarësh në përgjigje të krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Vota e së hënës ka tani një të ardhme të paqartë në Senatin e kontrolluar nga republikanët.
Presidenti Trump kërcënoi javën e kaluar se do të bllokonte paketën masive të ndihmave në përgjigje të pandemisë, nëse Kongresi nuk rriste pagesat e ndihmave nga 600 në 2000 dollarë dhe nuk shkurtonte shpenzime të tjera. Ai u tërhoq nga kërkesat e tij të dielën ndërkohë që po afrohej një mbyllje e mundshme e qeverisë federale në mungesë të fondeve.
Ligjvënësit demokratë kanë këmbëngulur prej kohësh për pagesat prej 2000 dollarësh dhe kanë shfrytëzuar këtë moment të rrallë mirëkuptimi me presindetin për të arritur kërkesën e tyre, ose për të detyruar republikanët të shprehen zyrtarisht kundër këtij propozimi në votën e së hënës. 130 republikanë, dy ligjvënës të pavarur dhe dy demokratë dolën kundër këtij propozimi në votën e së hënës.
Presidenti e nënshkroi paketën prej 2.3 trilionë dollarësh, ndërkohë që vazhdoi të këmbëngulte për pagesat prej 2000 dollarësh. Projektligji i firmosur nga presidenti përmban 1.4 trilionë dollarë për shpenzimet qeveritare dhe 892 miliardë dollarë për ndihma për pandeminë. Nuk është e qartë se si do të reagojë Senati i kontrolluar nga republikanët ndaj masës ligjore për të rritur pagesat nga 600 në 2000 dollarë. Disa senatorë janë shprehur se kjo masë do të rriste me miliarda dollarë paketën e ndihmave.
Senati do të mblidhet të martën. Udhëheqësi i shumicës republikane, Mitch McConnell nuk e përmendi këtë element të dielën, kur përshëndeti firmosjen e paketës financiare nga presidenti. Miliona familje amerikane po rezistojnë në këtë periudhë krize me fondet që marrin nga asistenca e papunësisë dhe ndihmat e dhëna për pandeminë.
Top Channel