Ndërsa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi çoi deri në fund skandalin e manipulimit për zgjedhjen e anëtarit të 7 të gjykatës kushtetuese, presidenti Ilir Meta i vuri vulën duke dekretuar emërimin e Sonila Bejtjas si anëtarja e 7 e Gjykatës Kushtetuese.
Që në krye të herës Top Channel paralajmëroi paracaktimin e fitueses , e cila u kuptua qartë nga lojrat antiligjore se ishte Sonila Bejtja Ibrahimi.
Për vendin vakant ku u paracaktua noterja Sonila Bejtja Ibrahimi, ishin paraqitur disa kandidatë me jetëshkrime të pasura. Por ata u skualifikuan qëllimisht nga KED dhe me arsyetime haptazi të pabazuara. Të gjithë të anashkaluarit nga gara ju drejtuan gjykatës dhe disa fituan. Por KED nuk mori parasysh asnjë vendim gjykate dhe vazhdoi manipulimet duke e zhytur procesin për në gjykatën Kushtetuese të atakueshëm nga abuzimet ligjore.
Njoftimi nga presidenca për emërimin e Sonila Bejtjas si anëtare e Gjykatës Kushtetuese
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta sot më datë 28.12.2020, ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e krijuar pas mbarimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Muçi, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11364, datë 22.11.2019.
Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin nr. 66, datë 28.12.2020, ka vendosur miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019, si më poshtë:
1) Sonila Bejtja 76.83 Pikë
Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë, e mbi të gjitha në mënyrë të qëndrueshme të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 7/dh pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pa asnjë vonesë, me Dekretin nr. 11886, datë 28.12.2020, ka vendosur që:
– Zonja Sonila Bejtja të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Top Channel