Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektbuxhetin për vitin 2021, në vlerë të 2.4 miliardë eurosh, 200 milionë më pak se sa buxheti i vitit 2020.

Projektbuxheti është votuar 64 deputet, përfshirë deputet të PDK-së, ndërsa kundër ka dalë LVV.

Votimi i tij në lexim të dytë pritet të bëhet gjatë së martës, dhe si rrjedhojë do të mundësoj ndihmën financiare ndaj bizneseve përmes Fondit për rimëkëmbje në vlerë të 182 milionë eurove.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votim, duke thënë se në këtë fond hynë edhe sektori i shëndetësisë, në të cilin parashihen shpenzimet për mbulimin e kostos së vaksinës anti-covid.

 Megjithëse votuan pro, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza vlerëson se projektbuxheti nuk i plotëson nevojat e qytetarëve.

Ndërsa deputetët e AAK-së kërkuan që me këtë buxhet secili qytetar të ndihmohet me një shumë prej 100 eurosh.

Projektbuxheti shënoi rënie prej 200 milionë eurosh, pasi si pasojë e pandemisë sektori privat ka shënuar rënie të qarkullimit vjetor prej 1.2 miliard euro, duke ndikuar kështu në rënien e të hyrave të Administratës Tatimore dhe Doganës si dy burimet kryesore të mbushjes së arkës së shtetit.

Top Channel