Milano dhe Lombardia në Itali janë zgjuar të mbuluara nga një shtresë bore me trashësi 20 cm.
Shoferët janë përballur me shumë vështirësi në qarkullim në rajon, me rrugët që janë zbardhur tërësisht dhe disa pemë të rëna për shkak të peshës së borës. Një grua ndërkohë raportohet se është plagosur pas rënies së një dege peme të mbuluar nga bora.
Në fakt, i gjithë gadishulli i Italisë është gjendur nën një mot të trazuar me temperatura të ulëta dhe borë në të gjithë veriun e vendit. Madje borë ka patur edhe në zona të ulëta, në rajonin e Emilia Romanas dhe në Triveneto. Në Liguria dhe rajonet qendrore është regjistruar ndërkohë erë e fortë. Nën një shtresë bore është zgjuar të hënën edhe Torino, ndërkohë që ekspertët thonë se reshjet do të ndalen në mbrëmje, me përjashtim të rajoneve alpine.
Probleme janë shënuar në disa autostrada, ndërkohë që edhe shërbimi i trenave është në alarm me 38 trena rajonalë të anuluar gjatë ditës. Rreth 2 cm borë është regjistruar edhe në Genova, ndërkohë që Venecia ka ngritur barrierat e sistemit mbrojtës Mose, për të evituar hyrjen e ujërave brenda lagunës që do të çonte edhe në përmbytje.
Top Channel