Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar emrin e noteres Sonila Bejtja, Presidentit për vendin vakant të anëtarit të shtatë në gjykatën Kushtetuese.

Kujtojmë se Sonila Bejtja, të vetmin angazhim si juriste ka atë te punës si notere qe prej vitit 2001.

Pjesa më e madhe e eksperiencës se saj është ne shitje pronash, makinash, banesash dhe noterizim dokumentash.

Noterja ishte përzgjedhur në listën e kandidatëve të Presidentit Meta për tu emëruar në Gjykatën Kushtetuese. Emërimi është bërë pasi juristja notere është shprehur qartazi publikisht pro veprimit të Presidentit për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Aktualisht ‘Kushtetuesja’ është me 6-anëtarë pasi në detyrë deri në ardhjen e zëvendësuesit qëndron Vitore Tusha e cila vjen nga radhët e gjyqtarëve që propozon Gjykata e Lartë.

NJOFTIM PËR MEDIAN

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 28.12.2020, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, duke iu përmbajtur rendit të ditës:

1.Shpallja e fillimit të procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve në vendin vakant në gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

2.Miratimi e ekspertit për vlerësimin e nivelit të zotërimit të gjuhës së huaj (atë angleze), të deklaruar nga kandidati i lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

3.Ndërprerjen e procedurës se vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve në vendin vakant në gjykatën Kushtetuese për kandidatin e lejuar, Z Altin Binaj.

4.Relatimi për procedurën e ndjekur për vlerësimin e kandidaturës së lejuar: Zj. Sonila Bejtja.

5.Zhvillimi i intervistës me kandidatin e lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese të shpallur vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019; Zj. Sonila Bejtja.

6.Vlerësimi, pikëzimi dhe renditja për kandidatët e lejuar.

7.Diskutimi dhe miratimi i listës përfundimtare të renditjes, si dhe i raportit përkatës.

Në mbledhjen e sotme të KED merrnin pjesë anëtarët e KED, Avokati i Popullit si edhe përfaqësuesi i Presidentit të Republikës.

Në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës, KED diskutoi paraprakisht mbi përfundimin e procedurës së vlerësimit për secilin prej kandidatëve që kanë shprehur interes për plotësimin e këtij vendi kakant në Gjykatën Kushtetuese, si edhe me faktin se kanë kaluar afatet e ankimit për kandidatët e ndaluar.

Pas miratimit të rendit të ditës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi shpalljen e fillimit të procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant në gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

KED, vijoi më pas me miratimin e ekspertit për vlerësimin e nivelit të zotërimit të gjuhës së huaj (atë angleze), të deklaruar nga kandidati i lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi, përfundimin e procedurës së, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes për shkak të tërheqjes nga kandidimi, Z. Altin Binaj, për vendin vakant në gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikësnë datën 22.11.2019.

Këshilli vijoi më intevistimin e kandidatës tjetër, Zj. Sonila Bejtja e cila është paraqitur sot përpara anëtarëve të KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe prezantuar platformën e saj në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese dhe vlerësimit të njohurive në gjuhën angleze. Pas përfundimit të intervistimit të kandidates, KED vijoi me procedurën e pikëzimit dhe renditjes.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimevebëri pikëzimin e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe miratoi vendimin përkatës.

KED vijoi me miratimin e vendimit mbi listën përfundimtare të renditjes dhe raportit përkatës, i cili do t’i dërgohet menjëherë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Top Channel