Projektligji për asistencën dhe buxhetin në pritje të firmës së Presidentit

27/12/2020 03:49

Presidenti amerikan Donald Trump po e kalon fundjavën e festës në pronën e tij në Florida, ndërsa demokratët dhe republikanët presin të shikojnë nëse ai do të nënshkruajë një paketë ligjore që përmban asistencën për pandeminë dhe financimin e buxhetit të qeverisë, projektligje të cilat ai i pati kritikuar ashpër këtë javë.

Legjislacioni, i cili miraton shpenzime prej 2.3 trilionë dollarësh ku përfshihen 892 milionë dollarë asistencë për koronavirusin, është dërguar nga Uashingtoni në klubin e tij në Mar-a-Lago ku pret firmën e tij. Presidenti Trump nuk ka kërcënuar konkretisht me vendosjen e vetos ndaj projektligjit, por ai i befasoi ligjvënësit e të dyja partive, duke e quajtur një “turp” ligjin që ishte miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, pas muajsh të tëra negociatash.

Presidenti tha se projektligji u jep shumë para interesave të veçanta dhe ndihmës për jashtë. Ai tha se pagesat e drejtpërdrejta prej 600 dollarësh për shumicën e amerikanëve, duhet të rriten në 2 mijë dollarë. Kjo u pa si një kritikë ndaj vetë anëtarëve të Partisë së tij Republikane, të cilët u kishin rezistuar përpjekjeve të demokratëve për të negociuar pagesa më të mëdha. Një mbyllje e pjesshme e qeverisë do të fillojë në orët e para të së martës, nëse Presidenti Trump nuk e nënshkruan projektligjin. Kongresi planifikon të rikthehet në punë të hënën, duke ndërprerë kështu pauzën e zakonshme për Krishtlindjen, dhe mund të miratojë një masë të përkohshme që do të financonte qeverinë për disa ditë ose javë të tjera, deri në zgjidhjen e ngërçit.

Ligjvënësit pritet të votojnë të hënën për të rrëzuar veton e Presidentit Trump ndaj një ligji që autorizon programe në fushën e mbrojtjes me vlerë prej 740 miliardë dollarësh. Nëse votohet në Dhomën e Përfaqësuesve, Senati mund të votojë që të martën. Për t’u rrëzuar vetoja e presidentit, nevojiten dy të tretat e votave në të dyja dhomat e legjislativit. Presidenti Trump e ka kritikuar ligjin për mbrojtjen në disa aspekte, duke pretenduar pa dhënë shpjegime se ligji ndihmon Kinën, si dhe ka kërkuar heqjen e frazave që lejojnë ndryshimin e emrave të bazave ushtarake që nderojnë udhëheqësit e Konfederatës. Ai gjithashtu ka kërkuar shtimin e një klauzole që e bën më të lehtë paditjen e kompanive të mediave sociale për materiale të publikuara nga përdoruesit e tyre.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti veton e Presidentit Trump “një gjest tronditës shpërfilljeje që dëmton trupat ushtarake të vendit”. Megjithatë, zonja Pelosi e ka mirëpritur thirrjen e Presidentit Trump për pagesa të drejtpërdrejta prej 2 mijë dollarësh për të gjithë amerikanët që gjenden nën një nivel të caktuar të ardhurash dhe të enjten i nxiti republikanët ta sfidojnë Presidentin Trump, duke mos lejuar rritjen e pagesave. Zonja Pelosi ka njoftuar se synon të organizojë një tjetër votim të hënën.

Anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, France Hill i shtetit Arkansas, i cili bën pjesë në Komisionin e Shërbimeve Financiare të Dhomës, tha për televizionin Fox të shtunën se ai shpresonte që Presidenti Trump do ta nënshkruante projekt-ligjin menjëherë sepse kjo do të siguronte një lehtësim të menjëhershëm për amerikanët. Të shtunën, Presidenti Trump qëndroi në klubin e tij Mar-a-Lago në Florida, me një staf minimal por me anëtarë të familjes, përfshirë këshilltarët e lartë Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Sipas programit të tij të përditshëm, ai ka patur “shumë takime dhe telefonata”, por Shtëpia e Bardhë nuk dha hollësi. Presidenti u fotografua të enjten dhe të premten duke luajtur në fushat e tij të golfit pranë Mar-a-Lagos. Mediat njoftuan se atij iu bashkua në Ditën e Krishtlindjes edhe aleati i tij i afërt, Senatori republikan Lindsey Graham./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA