Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raportuan të shtunën se numri i të vdekurve nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara ka arritur në 329,592, një rritje prej 4,496 krahasuar me një ditë më parë.
Sipas CDC-së, numri i rasteve me koronavirus brenda 24 orëve u shtua me 339,235 duke arritur në 18,730,806. Me kalimin e Krishtlindjeve, ekspertët e shëndetit publik po përgatiten për një tjetër shtim të rasteve me COVID-19, ashtu siç ka ndodhur pas festave të tjera këto muajt e fundit.
Pavarësisht paralajmërimeve nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për të shtyrë udhëtimet dhe për të qëndruar në shtëpi, më shumë se 7.1 milion njerëz kaluan nëpër kontrollet e aeroporteve gjatë javës së fundit, sipas shifrave të dhëna nga autoriteti i kontrolleve, TSA.
Gati 1.2 milion njerëz u kontrolluan në aeroporte vetëm të mërkurën, një rekord për udhëtimet ajrore në periudhën e pandemisë. Ndërsa numri i udhëtarëve të kontrolluar në ditën e Krishtlindjes ishte 616,469, ose 23 për qind krahasuar me të njëjtën ditë të një viti më parë. Megjithatë, zyrtarët shqetësohen, sepse i njëjti kontingjent njerëzish do të kthehen së shpejti në shtëpi me mbarimin e pushimeve. Sipas CDC, deri tani në Shtetet e Bashkuara janë bërë rreth 2 milionë vaksinime me vaksinat Pfizer dhe Moderna.
Top Channel