Qeveria amerikane kërkon që të gjithë pasagjerët e linjave ajrore që mbërrijnë nga Mbretëria e Bashkuar të posedojnë një test negativ për COVID-19 të bërë brenda 72 orëve para nisjes.
Vendimi hyn në fuqi nga data 27 dhjetor. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tha në një deklaratë se të gjithë pasagjerët e linjave ajrore nga Mbretëria e Bashkuar duhet të kenë test negativ në mënyrë që të fluturojnë në Shtetet e Bashkuara. Vendimi pason paraqitjen e një varianti të ri, shumë infektiv të koronavirusit në Britani të Madhe, që ka nxitur shumë vende të mbyllin kufijtë e tyre për udhëtarët nga atje.
CDC tha se “viruset ndryshojnë vazhdimisht përmes mutacionit, dhe analiza paraprake në Mbretërinë e Bashkuar sugjeron që ky variant i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm sesa variantet që qarkullonin më parë”. Edhe vendet tjera po ndërmarrin masa për të parandaluar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit. Hong Kongu vendosi masën e karantinës për të gjithë vizitorët jashtë Kinës.
Rregulli i ri do të hyjë në fuqi më 25 dhjetor. Gjermania tha se kishte konfirmuar rastin e saj të parë me variantin e ri të koronavirusit. Zyrtarët thonë se nuk ka asnjë provë që llojet e reja të virusit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut janë më vdekjeprurëse ose do të jenë rezistente ndaj vaksinave.
Top Channel