Autoritetet amerikane besojnë se një shpërthim që tronditi zonën në qendër të qytetit Nashville mëngjesin e Krishtlindjes ishte një veprim i qëllimshëm.
Zëdhënësi i policisë së qytetit Nashville të shtetit Tenesi tha se nga shpërthimi që ndodhi në orën 6:30 të mëngjesit u thyen xhama dhe u dëmtuan ndërtesa. Autoritetet besojnë se në shpërthim ishte i përfshirë një automjet. Policia tha se tre njerëz u dërguan në spital, asnjëri prej tyre në rrezik për jetën.
Policia tha gjithashtu se ka nisur një hetim në shkallë të gjerë.
Zona ku ndodhi shpërthimi është e mbushur me bare, restorante, dyqane të vogla dhe njihet si zemra turistike e qytetit.
Disa dëshmitarë thanë se zhurma e shpërthimit ishte e fortë dhe ndërtesat përreth u tronditën. Veç kësaj, u panë katër automjete në flakë ndërsa pemët në vendin e ngjarjes u shkatërruan./VOA/
Top Channel