E para herë pas zjarrit/ Koncert Krishtlindje në Notre Dame

25/12/2020 15:44

Për të parën herë që kur zjarri thuajse e shkatërroi atë, katedralja e Notre Damit u mbush nga tingujt e një koncerti të korit në mbrëmjen e krishtlindjes, një traditë kjo e përvitshme në Francë.

E duke patur parasysh faktin se katedralja gotike është ende në rindërtim, pjesëtarët e korit kishin vendosur kaska mbrojtëse në kokë dhe kishin veshur uniforma punëtorësh dhe për më tepër, në katedrale nuk kishte spektatorë. Koncerti në fakt ishte regjistruar në katedrale më herët, këtë muaj, dhe u transmetua në televizionin francez pak para mesnatës së të enjtes.

Kori performoi pjesë klasike nga kompozitorë si Mozart dhe Schubert, por edhe një repertor më të lehtë, që përfshinte edhe Jingle Bells.

Katedralja, një monument i arkitekturës gotike që daton nga shekulli i 13 dhe që është kthyer në një atraksion të madh për turistët, u përfshi nga zjarri më 15 prill 2019. Flakët shkatërruan kupolën dhe çatinë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u angazhua se katedralja do të rindërtohej brenda pesë vitesh. Por deri më tani, pjesa më e madhe e punimeve në të është fokusuar tek krijimi i sigurisë dhe pastrimi i mbetjeve toksike. Ndërkohë, Notre Dami është i mbyllur për publikun dhe meshat janë të anuluara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA